Stefkovski reagon ndaj Shaqirit për marrjen e kompetencave
Pas paralajmërimit të ministrit të Arsimit dhe Shkencës....

Pas paralajmërimit të ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri, se komunës së Gazi Babës do t’i merren ingerencat për shkollën fillore “Njegosh” në Idrizovë, ka reaguar kryetari i kësaj komune, Boban Stefkovski.
Ky veprim i ministrit Shaqiri, sipas tij, po bëhet me tendencë, sepse ai si kryetar dhe drejtoria e shkollës në fjalë në asnjë rast nuk i kanë tejkaluar kompetencat.
“Si kryetar dua të theksoj se nuk ka asnjë bazë ligjore për marrjen e ingerencave, sepse komuna e Gazi Babës dhe drejtoresha e Shkollës Fillore “Njegosh” i kanë plotësuar të gjitha obligimet ligjore dhe nuk kanë tejkaluar apo thyer asnjë procedurë ligjore. Më vjen keq që ministri Shaqiri nuk e pranoi apelin tim që mos të bije pre e situatave të krijuara nga disa individë, me të vetmin qëllim që të krijojnë tensione ndëretnike. Për mua nxënësit janë nxënës, pa dallim të përkatësisë së tyre etnike, fetare. Vendimi për marrjen e ingerencave nuk është zgjidhje e problemit, por vetëm maskim i pa-aftësisë së kësaj Qeverie që ta realizojnë atë të cilën e kanë premtuar para banorëve të Idrizovës, që u dha para disa viteve për ndërtimin e një shkolle të re.”, - deklaroi kryetari i Komunës së Gazi Babës, Boban Stefkovski.
Shaqiri: Askujt nuk i lejohet tejkalim i kompetencave
Por, ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri, ka theksuar se asnjë komune nuk do t’i merren ingerencat, përderisa nuk vërehen keqmenaxhime me procesin edukativo-arsimor dhe nuk ka fakte qartë të definuar.
“Hapi i fundit nga ana ime do të jetë marrja e ingerencave. Proces për marrjen e ingerencave ka vetëm për një shkollë, bëhet fjalë për shkollën në fshatin Kukureqan në Manastir. Por, unë kam kërkuar nga të gjitha qeveritë lokale të kenë mirëkuptim, sepse nuk do t’i toleroj askujt që t’i tejkalojnë kompetencat ligjore dhe aty ku do të vërej se ka mosrespektim të ligjeve, do të nisë iniciativë për marrjen e ingerencave, sepse për të gjitha këto unë kam dëshmi raportet e Inspektoratit. Por, prapë po e theksoj se ky është veprimi i fundit ose më pak i dëshiruar.”, - theksoi ministri i MASh-it, Jeton Shaqiri.
Këto pohime, ministri Shaqiri i bëri në takimin me komitetin menaxhues i COST-programit evropian për bashkëpunim në fushën e shkencës dhe teknologjisë.
Sipas tij, pjesëmarrja e punëtorëve shkencorë dhe hulumtues nga Maqedonia e Veriut në 67 nga gjithsej 70 aksione në kuadër të programit COST, të realizuar në dy muajt e fundit, e bën vendin një nga pjesëmarrësit më aktivë në këtë program, ndër vendet e rajonit.
COST është programi më i vjetër evropian për shkencën dhe teknologjinë, i krijuar në 1971. Maqedonia e Veriut është anëtare me të drejta të plota që nga viti 2002. (Fitim Kryeziu, TVM2)
