Eurointegrime, Osmani: Ndryshimet kushtetuese kusht, ndryshe ngecim
Ministri i Jashtëm, Bujar Osmani...

Ministri i Jashtëm, Bujar Osmani, nuk ka koment se cili mund të jetë epilogu i ndryshimeve kushtetuese deri në fund të vitit, nëse e kemi lëshuar shansin apo jo, por shton se angazhimi i tij nuk do të ndalet deri në momentin e fundit, që të mund mbahet konferenca e dytë ndërqeveritare me BE-në, e cila pengohet nga mosmiratimi i ndryshimeve kushtetuese.
Përgjegjësinë historike për të ardhmen e vendit, sipas Osmanit do ta bartin deputetët që nuk rreshtohen pas qëllimit strategjik evropian.
Nuk është i sigurt nëse kjo mundësi do të na jepet vitin e ardhshëm, për shkak se rrethanat globale po ndryshojnë kahjen gjeopolitike të BE-së.
“I bëjmë të gjitha hapat, angazhohemi dhe nuk do të ndalemi deri në momentin e fundit që ta kapim këtë moment që nuk do përsëritet për RMV-në. Pra, nuk do të ndalemi së komunikuari me qytetarët, me partitë politike, në mënyrë që t’i bindim për barrë që bartin mbi supe, barrën për të ardhmen e vendit. Nëse nuk kemi sukses duhet t’ua komunikojmë njerëzve se kush ua ndali rrugën drejt BE-së, kush i dërgoi fëmijët e tyre jashtë vendit, pra me emër dhe mbiemër.”, - deklaroi ministri i Jashtëm, Bujar Osmani.
Ministrja rumune në Shkup: Shfrytëzojeni dritaren e hapur për ju
Ministrja e Jashtme e Rumanisë, me apel që të shfrytëzohet shansi i hapur për zgjerim, pa marrë parasysh vështirësitë drejt rrugëtimit në BE, sfidë të cilën sipas saj, e kalojnë të gjitha vendet aspirantë, por që mund të ketë zgjidhje vetëm përmes dialogut dhe konsensusit të brendshëm politik.
“Ju nxisim që të vazhdoni me vendosmëri në këtë rrugë, që në mënyrë efektive t’i hapni kapitujt, siç parashihet në pakon e zgjerimit. Rumania beson se vetëm përmes angazhimit të përbashkët dhe konsensusit të gjerë nacional për reformat dhe miratimi i vendimeve të nevojshme, do të përshpejtojnë rrugën drejt BE-së. Ju inkurajojmë që ta shfrytëzoni këtë shans që u hap për zgjerim pas agresionit rus në Ukrainë.”, - theksoi ministrja e Jashtme e Rumanisë, Luminika Odobesku.
Ministrja e Jashtme rumune gjatë vizitës së saj në Shkup ka takuar edhe zyrtarë të tjerë të shtetit, ndërkaq për të rritur bashkëpunimin mes dy vendeve, janë nënshkruar plani aksion për bashkëpunim në fushën e diplomacisë, si dhe protokolli për bashkëpunim në fushën e arsimit. (Nermin Mulaki – Fejzullahu, TVM2)
