40 ditë luftime në Rripin e Gazës, Erdogan: Izraeli zhvillon terror shtetëror

15.11.2023 17:04

Mëngjesi i 40-të në Gaza...

Mëngjesi i 40-të në Gaza vazhdoi të shënohet me bombardime derisa forcat izraelite bastisë spitalin më të madh të rajonit, ku qindra pacientë duke përfshirë fëmijë dhe foshnja të porsalindura janë bllokuar brenda me furnizime minimale dhe pa energji elektrike.

Sipas ushtrisë izraelite janë okupuar ndërtesa komplekse të Hamasit dhe tanimë është ndërmarrë udhëheqja e Parlamentit dhe institucionet tjera në Rripin e Gazës që udhëhiqeshin nga grupi militant Hamas.

“Detyrën të cilën na e dha udhëheqësia politike është të shpërbëjmë organizatën Hamas. Që të shkatërrojmë Hamasin, ne duhet të veprojmë në të gjithë Rripin e Gazës, prandaj edhe do të veprojmë nga të gjitha anët, ajër, tokë dhe det. Agresioni i Izraelit kundër Gazës ka qenë në krye të agjendës sonë dhe me forcën vrasëse që detyron civilët të largohen nga shtëpitë e tyre, më pas duke i bombarduar vetëdijshëm ata në rrugë, është duke zhvilluar terror shtetëror”, - theksoi presidenti turk Erdogan.

“Qeveria izraelite, e cila ka mbështetjen e pakufishme të ShBA-së dhe Perëndimit, ka vazhduar masakrat e saj vazhdimisht për 40 ditë me radhë. Izraeli po zhvillon strategji të asgjësimit total të një qyteti me banorët e tij, duke targetuar me synim shkollat, xhamitë, kishat, spitalet, tregjet, ndërtesat dhe rrugët.”, - theksoi presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan.

Por, në Gaza janë jashtë funksionit 25, nga gjithsej 35 spitale. Tel Avivi konfirmon se nafta, e cila është dërguar ende nuk është marrë nga spitali “Al-Shifa” në veri të vendit.

Nga ana tjetër, faktori ndërkombëtar bën thirrje urgjente për ndalimin e dhunës ku udhëheqësit e mbrojtjes së organizatës së kombeve të Azisë juglindore kërkuan bashkëpunim ndërkombëtar për hapjen e korridoreve për dërgimin e ndihmës humanitare në Gaza.

“Dhuna ndaj popullatës civile duhet të përfundojë. Përpjekjet për ndalimin e sulmeve duhet të vazhdojnë dhe furnizimi i sigurt i ndihmës humanitare duhet të përshpejtohet.”.

Pas më shumë se një muaji, numri i viktimave nga sulmi izraelit në Rripin e Gazës ka arritur në mbi 11 mijë, ku 40% e tyre janë fëmijë dhe mbi 2,700 persona rezultojnë të zhdukur nën rrënoja. (Leunora Kaliqi, TVM2)