Taravari i pakënaqur me LSDM-në, ASh-ja do të shqyrtojë pjesëmarrjen në Qeveri
Kreu i ASh-së, Arben Taravari...

Kreu i ASh-së, Arben Taravari, ka paralajmëruar se deri nga fundi i këtij muaji apo në fillim të dhjetorit, në partinë e tij do të flasin për daljen e mundshme nga Qeveria pas mosmiratimit të ligjit për amnisti. Pakënaqësia ka të bëjë me qëndrimin kundër të LSDM-së.
“Ne vërtetë kemi dyshimet tona a duhet vazhduar apo s’duhet vazhduar në Qeveri, sidomos pas ligjit për amnisti ku ndodhi një tradhti, që një ligj i cili ishte propozim i Qeverisë, nuk u votua nga deputetët e LSDM-së. Ne kemi dyshime, por nuk i kemi biseduar për shkak të ndryshimeve kushtetuese. Nga fundi i nëntorit e fillimi i dhjetorit, ne duhet ta marrim vendimin definitiv a vazhdojmë në Qeveri apo bëhemi opozitë.”, - deklaroi kryetari i ASh-së, Arben Taravari.
Grubi: Kemi marrëdhënie të shkëlqyera me ASh-në
Ndërkohë, zëvendëskryeministri i parë, Artan Grubi, thotë se koalicioni me ASh-në është i shkëlqyer. Sipas Grubit, bashkëpunimi madje duhet të vazhdojë edhe në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
“Marrëdhëniet me Aleancën për Shqiptarët i kemi të shkëlqyera. Me tre ministrat, me zëvendësministrat, me drejtorët, me zëvendësdrejtorët dhe na bashkon ideja e integrimit të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian, duke i avancuar këto përpjekje të përbashkëta edhe në ndonjë bashkëpunim të mundshëm edhe në zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe presidenciale. Nuk shoh ndonjë arsye, nuk e di kontekstin që z.Taravari e ka thënë, por jemi një muaj, dy, para Qeverisë teknike në të cilën do të fillojmë përgatitjet për zgjedhje.”, - theksoi zëvendëskryeministri i parë, Artan Grubi.
Grubi njëherit ka kritikuar opozitën shqiptare se me qëndrimet që paraqet, siç është kërkesa për dorëheqjen e tij, “vetëm përkthen komunikatat e VMRO-DPMNE-së”. (Sanije Duraku, TVM2)
