Maqedoni

Propozim-ligjet për vendbanim dhe vendqëndrim, të papranueshme për BDI-në dhe PDSh-në

17.03.2015 16:41

Propozim-ligji për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Letërnjoftime dhe propozim-ligji për paraqitje të vendbanimit dhe vendqëndrimit janë të papranueshëm për deputetët e BDI-së...

Dy ligjet kontraverze do të refuzohen në tërësi, për shkak të dallimeve konceptuale, thotë koordinatori i BDI-së, Talat Xhaferi.
 
Sipas tij, vërejtjet kryesore kanë të bëjnë me riformulimin e nocionit vendbanim, paraqitjen e vendbanimit të përkohshëm, mundësinë për shlyerje nga evidenca e vendbanimit të përhershëm, si dhe mundësia e dhënies së letërnjoftimit në hapësira jashtë hapësirave të MPB-së. 
 
“Është diskutabil neni 6, me të cilin ndryshohet neni 8 dhe obligohet qytetari që ta paraqesë shkuarjen e tij jashtë vendit mbi 3 muaj. Është diskutabil neni 9, me të cilin ndryshohet neni 11, që si për pasojë mosparaqitja e shkuarjes jashtë vendit mbi tre muaj nënkupton marrjen e vendbanimit të përhershëm në Maqedoni. Diskutabile për ne në koncept është ndryshimi i nenit 2, që parashikon mundësinë që letërnjoftimi të jepet edhe jashtë hapësirave të MPB-së, por nuk  përcaktohet se ku”- deklaroi deputeti i BDI-së, Talat Xhaferi.
 
Paqartësitë e këtilla kanë ngritur dyshime edhe te grupi parlamentar i PDSH-së. Sipas tyre, ndryshimet në masë të madhe do t’i prekin banorët shqiptarë që ndodhen me punë të përkohshme jashtë vendit.
 
“Propozim-ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Letërnjoftime dhe propozim-ligji për plotësimin e Ligjit për Paraqitjen e Vendbanimit dhe Vendqëndrimit janë ligje shfarosëse, që kanë për qëllim t’i lënë pa nam e nishan, pa adresë e pa vatan, të huaj në vendin e vet mbi 200 mijë shqiptarë, gurbetçarët tanë, që për shkak të politikës diskriminuese të kësaj qeverie janë të detyruar të ikin nga vendlindja”- tha deputeti i PDSH-së, Gazmend Aliu.
 
Që nga futja në procedurë parlamentare, grupi parlamentar i BDI-së kërkoi që propozim-ndryshimet e ligjeve në fjalë të tërhiqen, mirëpo propozimi u hodh poshtë nga deputetët e VMRO-DPMNE-së.
 
Propozim-ndryshimet kaluan komisionet amë dhe ndodhen në seancë plenare, ndërsa për miratimin e tyre nevojitet votimi i dyfishtë.
 
NAIM RAMADANI