Botë

Takimi Bajden-Xi Jinping, normalizohen raportet ShBA-Kinë

16.11.2023 11:41

Presidenti amerikan Xho Bajden dhe ai kinez Xi Jinping janë pajtuar për normalizim të raporteve...

Presidenti amerikan Xho Bajden dhe ai kinez Xi Jinping janë pajtuar për normalizim të raporteve, përfshirë rikthimin e komunikimit ndërmjet ushtrive që Kina i kishte ndërprerë në gusht të vitit 2022, si dhe të punojnë në politikat në luftën me drogat, ndryshimet klimatike dhe çështjen e Tajvanit.
 
Ne po u rikthehemi komunikimeve direkte, të hapura, të qarta, ka thënë presidenti amerikan, pas një takimi që ka zhvilluar me presidentin e Kinës, Xi Jinping në Kaliforni. Bajden ka thënë se dy liderët janë pajtuar edhe për ta krijuar një linjë direkte komunikimi me njëri-tjetrin.
 
“E theksova rëndësinë e paqes dhe stabilitetit në ngushticën e Tajvanit. Është e qartë se ne i kundërvihemi Pekinit. Praktikat ekonomike jo tregtare dhe mungesat e Pekinit i vënë në pozitë të pavolitshme bizneset amerikane dhe të punësuarit e tyre.”, - deklaroi presidenti i ShBA-së, Xho Bajden.
 
Kina asnjëherë nuk do të jetë kundër ShBA-së, asnjëherë nuk përzihemi në punët e saja të brendshme, ndërsa për dy vendet nuk është mirë që t’i kthejnë shpinën njëra-tjetrës, ka thënë presidenti kinez. 
 
“Kina nuk ka ndërmend ta sfidojë apo zëvendësojë ShBA-në. Në vend të saj, na vjen mirë që shohim ShBA me vetëbesim, të hapur dhe me prosperitet. Po ashtu, Uashingtoni nuk duhet të jetë kundër Pekinit apo të përzihet në punët e brendshme të Kinës. Në vend të kësaj duhet ta përshëndesim Kinën e qetë, stabile dhe të prosperuar.”, - theksoi presidenti i Kinës, Xi Jinping.
 
Kjo është hera e parë që palët kanë biseduar, pas më shumë se një viti. Kina i ka ndërprerë komunikimet ushtri-ushtri vitin e kaluar, pasi Nensi Pelosi, atë botë udhëheqëse e Dhomës së Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara, e ka vizituar Tajvanin.
 
SEDAT SELIM