Botë

Tiranë, takimi i tetë i stabilizim-asocimit BE-Shqipëri

17.03.2015 17:07

Një samit dedikuar stabilizim-asociimit, zhvilluar përgjatë dy ditëve në Tiranë, ka dhënë sinjale mjaft pozitive për integrimin e Shqipërisë...

Drejtuesi i samitit, Taulant Balla, shprehu dëshirën, por edhe besimin se negociatat për integrim do të çelen këtë vjeshtë. 
 
Ndërsa bashkëkryetarja e samitit, eurodeputetja Monica Macovei, duket se ka vënë si kusht pastrimin e figurave të politikës që një gjë e tillë të arrihet.  Dhe ky proces, i njohur si dekriminalizim, sipas Macoveit, duhet të nisë me zgjedhjet e qershorit.
 
Gjatë konferencës përmbyllëse për shtyp, u prek edhe çështja e deputetit, Tom Doshi. Eurodeputetja Macovei, kërkoi hetim të pavarur.
 
“Ne bëjmë thirrje për hetim të pavarur dhe paanshëm për akuzat e ngritura. Për ne është e rëndësishme që prokurori, gjyqtari të funksionojnë në mënyrë të pavarur, megjithëse e dimë që kjo është e vështirë si fillim, megjithatë ka gjithmonë njëherë të parë. Kjo duhet të jetë e ardhmja, pra që gjyqësori të bëjë hetime të pavarura dhe paanshme. Po ashtu është e rëndësishme që t’u drejtohemi të gjitha palëve me një mesazh: hetimet janë në vijimësi, akuzat janë duke u shqyrtuar, nuk ka ende një përfundim. Është e rëndësishme ta kuptojmë këtë, sepse nesër mund të ketë akuza për palën tjetër, ndaj duhet të mësohemi të respektojmë këto parime”- tha eurodeputetja, Monica Macovei.
 
Gjatë samitit ka pasur përplasje mes deputetit, Aldo Bumçi dhe eurodeputetes, Monica Macovei. Bumçi e ka akuzuar atë se nuk e ka lënë të flasë opozitën, duke dëshmuar për një mungesë demokracie.
 
LULJETA NDOKA