Botë

Gaza, bombardimet nuk kanë të ndalur

16.11.2023 13:55

Të paktën 50 palestinezë janë vrarë në sulmet që avionët luftarakë izraelitë...

Të paktën 50 palestinezë janë vrarë në sulmet që avionët luftarakë izraelitë kanë kryer ndaj lagjes “Sabra” në qendër të Rripit të Gazës. U bombarduan kullat e komunikimit të Palestinës në Kan Junis, si dhe një pikë karburanti ku ishin strehuar palestinezët e zhvendosur nga pjesët qendrore të Gazës.
 
Ushtria izraelite u fut në spitalin “Al-Aksa”, me pretekstin se nën këtë objekt ndodhen tunelet e grupit të Hamasit. OBSh-ja tha se veprimet e Izraelit janë të papranueshme, pasi sipas tyre spitalet nuk janë fushëbetejë.
 
"26 nga 36 spitalet tani janë mbyllur ose për shkak të dëmtimeve, sulmeve ose për shkak se u ka mbaruar karburanti. OBSh-ja ka humbur kontaktet me punonjësit e shëndetësisë në spitalin “Al-Shifa”. Inkursioni ushtarak i Izraelit në spitalin “Al-Shifa” në qytetin e Gazës është krejtësisht i papranueshëm. Spitalet nuk janë fushë beteje.”, - deklaroi kreu i OBSh-së, Tedros Adanom Gebrejesus.
 
Ndërkohë presidenti i ShBA-së, Xho Bajden, tha se Izraeli bën gabim të madh nëse mendon se do ta pushtojë Gazën. Sipas tij, e vetmja rrugë paqeje është zgjidhja me dy shtete.
 
“E vetmja përgjigje përfundimtare këtu është një zgjidhje me dy shtete që është reale. Nuk mund t'ju them se sa do të zgjasë lufta,por nuk mendoj se do të përfundojë derisa të ketë një zgjidhje me dy shtete. Ua bëra të qartë edhe izraelitëve, mendoj se është një gabim i madh për ata, të mendojnë se do të pushtojnë Gazën apo ta mbajnë Gazën me një status të pazgjidhur. Kjo nuk funksionon!”, - theksoi presidenti i ShBA-së, Xho Bajden.
 
Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara miratoi rezolutën e parë që nga shpërthimi i konfliktit në Gaza mes dy shteteve. Rezoluta bën thirrje për pauza urgjente humanitare në Gaza. Votimi në këshillin prej 15 anëtarësh ishte 12 “për” dhe asnjë “kundër”, ndërsa Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar dhe Rusia abstenuan.
 
“Ky projekt-rezolutë që kemi përpara kërkon të ofrojë shpresë në këtë orë të errët dhe synon të sigurojë një lehtësim nga makthi aktual në Gazë dhe t'u japë shpresë familjeve të të gjitha viktimave. Fokusi është në gjendjen e vështirë të fëmijëve të bllokuar në enklavën e luftës dhe të atyre që mbahen peng.”, - u shpreh përfaqësuesja e përhershme në KB, Maltë, Vanesa Frazier.
 
Përfaqësuesi i Izraelit nuk pajtohet me diskutimet për Gazën.
 
“Ky këshill është mbledhur për këtë çështje pothuajse 10 herë dhe ende nuk ka arritur të dënojë masakrën e Hamasit të 7 tetorit. Rezoluta fokusohet vetëm në situatën humanitare në Gaza. Mjerisht, kjo rezolutë bie në vesh të shurdhër kur bëhet fjalë për Hamasin dhe organizatat e tjera terroriste.”, - deklaroi ambasadori izraelit, Bret Xhonatan Miller.
 
“Qeveria izraelite para përfundimit të këtij takimi deklaroi se nuk e respekton rezolutën dhe nuk do ta zbatojnë të njëjtën. Që do të thotë se ka shumë gjasa që ne të kthehemi së shpejti përsëri në Këshillin e Sigurimit, duke kërkuar që ata ta zbatojnë këtë rezolutë.”, - theksoi vëzhguesi i përhershëm në KB, Palestinë, Rijad Mansur.
 
Që nga shpërthimi i këtij konflikti janë vrarë rreth 12,000 palestinezë, ndërsa nga pala izraelite jetën e kanë humbur mbi 1,500 persona.
 
FARIJE DAUTI BAKIJU