Maqedoni
Shkup, mbledhja e 20-të, ShBA-Karta e Adriatikut
16.11.2023 14:12
Ministrja e Mbrojtjes, Sllavjanka Petrovska, përmes një fjalimi hapi takimin e 20-të jubilar ministror...

Ministrja e Mbrojtjes, Sllavjanka Petrovska, përmes një fjalimi hapi takimin e 20-të jubilar ministror, në të cilin marrin pjesë ministrat e mbrojtjes dhe përfaqësues të lartë të vendeve anëtare dhe vendeve vëzhguese të ShBA-së dhe vendeve të Kartës së Adriatikut.
Në hapje, Petrovska theksoi se suksesi i ShBA-së dhe Kartës së Adriatikut është i dukshëm, sepse me integrimin e katër vendeve A5 në NATO është forcuar ndjeshëm siguria dhe është forcuar bashkëpunimi mes vendeve të rajonit.
Ky bashkëpunim 20 vjeçar, sipas Petrovskës është treguar si një katalizator për ta ndryshuar erën e zhvillimit dhe të sigurisë në rajon dhe më gjerë. Këto 20 vite sipas pjesëmarrësve tregon qëndrueshmërinë e këtyre aleatëve të fuqishëm për vendosjen e themeleve të një sigurie të përgjithshme.
Sipas nikoqires së kësaj mbledhjeje, ministres së Mbrojtjes, Sllavjanka Petrovska, ShBA-ja ka dhënë një kontribut të pashoq për vendet e rajonit, që të ecin fuqishëm në rrugën euroatlantike.
“Bashkërisht po luftojmë me sfidat e kësaj kohe, e të cilat janë shumë të komplikuara. Në këtë kohë të sfidave të rënda, imperativë i jonë është që ne ta njohim vetveten dhe ta njohim sigurinë e vendeve tona. Siguria e një populli është ngushtë e lidhur me sigurinë e të gjithë neve. Aftësia jonë që në mënyrë efikase t’ju përgjigjemi sfidave të njëpasnjëshme me të cilat po përballemi, tregon kapacitetet tona për të ndërtuar partneritet dhe bashkëpunim më të ngushtë. Bashkëpunimi rajonal në sferën e sigurisë nënkupton ndërtim të urave dhe ndërtim të një vizioni të përbashkët për një ardhmëri më të sigurt. Por duhet çdo herë ta kemi në mendje edhe sigurinë tonë kolektive, sepse vendimet që i marrim dhe strategjinë që e hartojmë dhe bashkëpunimet të cilat i iniciojmë shkojnë shumë më larg sesa muret që na i sjellin sfiduesit tanë.”, - deklaroi ministrja e Mbrojtjes, Sllavjanka Petrovska.
Pjesëmarrësit treguan që kjo konferencë do të tregojë qëndrueshmërinë e të gjitha vendeve anëtare, që këtë bashkëpunim ta mbajnë dhe ta kultivojnë edhe më shumë dhe të dalim edhe më të fuqishëm. Konferenca e 20-të jubilare do të vazhdojë punimet e saja edhe nesër.
FITIM KRYEZIU
