Maqedoni
Strugë, të papunët nuk paraqiten me rregull në ENT
16.11.2023 14:29
Mosparaqitja e rregullt e të papunëve në qytetin e Strugës...

Mosparaqitja e rregullt e të papunëve në qytetin e Strugës pengon evidentimin e papunësisë. Nuk mund të dihet sigurt nëse papunësia në Strugë është zvogëluar siç pretendohet, sepse shumë të papunë nuk paraqiten rregullisht thonë nga Agjencisë për punësim.
Disa paraqiten çdo një muaj, disa çdo gjashtë muaj, e shumë të tjerë nuk paraqiten fare, ndërsa rregullisht paraqiten vetëm personat që marrin ndihma sociale, sepse janë të detyruar. Më herët të gjithë qytetarët kanë qenë të detyruar të paraqiten në Entin për punësim, për shkak të sigurimit shëndetësor, e tani që agjencia për punësim nuk është e lidhur më me fondin shëndetësor, paraqiten vetëm personat që kërkojnë punë.
“Deri tani duhej të paraqiten të gjithë, pa marr parasysh a donin të punonin apo jo, sepse ishim të lidhur me Fondin shëndetësor dhe tani ai që do të punësohet, para se të punësohet paraqitet ose dëshiron të shfrytëzojë ndonjë subvencion, atëherë paraqitet. D.m.th. në një fare mënyre është variabël dhe nuk mund të jepet një numër real në aspektin e rritjes apo zvogëlimit të numrit të papunëve.”, - deklaroi drejtoresha e Agjencisë për punësim në Strugë, Elvadina Dika.
Megjithëse të papunët nuk paraqiten në Agjencinë për punësim, shumë punëdhënës kërkojnë punëtorë. Në Strugë ka mungesë të punëtorëve më së shumti në sektorin e hotelerisë, ndërtimtari, por edhe në arsim.
“Profilet profesionale janë kamarierët, kuzhinierët, asistentët hotelerik, jemi qytet turistik, kemi mangësi në ndërtimtari në profile të ndryshme, po ashtu kemi zvogëlim të numrit të papunëve që janë profesorë, që janë në drejtime të caktuara: gjeografi, histori, fizikë, gjuhë shqipe, të gjitha janë në deficite, gjuhët e huaja po ashtu. Minimum duhet të jenë 5 veta të paraqitur, por ata nuk mund t’i gjejmë. Psikolog nuk kemi, është ligji që çdo shkollë të ketë asistent psikolog, edhe atë nuk e kemi.”, - theksoi drejtoresha e Agjencisë për punësim në Strugë, Elvadina Dika.
Nga Agjencia për punësim thonë se edhe numri i të paraqiturve me shkollim fillor dhe të mesëm nuk është real, për shkak se shumë të papunë paraqiten vetëm me letërnjoftim, pa diplomat e tyre. Nga agjencia apelojnë që qytetarët që kanë mbaruar shkollimin të paraqiten me diploma, që të ketë mundësi të punësohen në sektorët adekuatë. (Ilmije Zhaku, TVM2)
