Botë

Kurti: Buxheti i Kosovës mbi 3,3 miliard euro

16.11.2023 14:46

Propozim-buxheti i Kosovës për vitin 2024 është mbi 3,3 miliardë euro...

Propozim-buxheti i Kosovës për vitin 2024 është mbi 3,3 miliardë euro, që është buxheti më i madh i Kosovës, ka deklaruar në Kuvend kryeministri, Albin Kurti. Sipas tij, ky buxhet forcon mbrojtjen e Republikës së Kosovës, e rrit sigurinë e qytetarëve, si dhe e mundëson zhvillimin e vendit dhe mirëqenien e popullit.
 
“Ai do të jetë buxhet i mbrojtjes dhe sigurisë, për çfarë kemi ndarë 370 milion euro apo 22 për qind më shumë se sa aktualisht. 153 milion euro për Ministrinë e Mbrojtjes dhe 2,016 milion euro për MPB-në, më së shumti ndonjë herë. Ushtrisë tonë ia kemi rritur buxhetin për më shumë se dyfish. Prej se kemi adresuar, në qeverisje do ta shtojmë edhe 600 ushtarë më shumë për vitin 2024, kurse policia jonë vitin tjetër do t’i këtë 500 rekrut të tjerë dhe 21,7 milion euro për investime kapitale ose 9 milion euro më shumë se sa këtë vit.”, - deklaroi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. 
 
Buxheti i Republikës së Kosovës, 3 milion euro për Luginën e Preshevës
 
Në këtë buxhet të Republikës së Kosovës janë paraparë mjete edhe për Luginën e Preshevës. 
 
“Buxheti i vitit të ardhshëm do të jetë buxhet edhe për shqiptarët e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit. Atij po ia shtojmë edhe një milion krahasuar me vitin aktual dhe nga dy në tre milion euro për vitin 2024.”, - theksoi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. 
 
Në buxhetin e vitit të ardhshëm janë ndarë 29 milionë euro për masat e punësimit, për shëndetësinë mbi 340 milionë euro, për sektorin e arsimit 370 milionë euro.
 
Sipas kryeministrit Kurti, gjatë këtij viti, bruto produkti është rritur pothuajse për 50%, pasi në vitin 2020, bruto produkti vendor ka qenë 6,77 miliardë, ndërsa në vitin 2024 pritet të jetë mbi 10 miliardë euro.
 
GYLTENE SINANI