Maqedoni

Shilegov: me çfarë para janë blerë parcelat në Vodno

17.03.2015 17:34

Zëdhënësi i LSDM-së, Petre Shilegov, mbajti pres-konferencë në një nga parcelat me vlerë prej 5 milionë eurosh në Vodno të Shkupit...

Zëdhënësi i LSDM-së, Petre Shilegov, mbajti pres-konferencë në një nga parcelat me vlerë prej 5 milionë eurosh në Vodno të Shkupit, për të cilën thotë se është në pronësi të kryeministrit, Nikolla Gruevski.
 
Bëhet fjalë për parcelë tokësore në pronësi të kompanisë së huaj nga Belize, drejtues i së cilës thuhet të jetë kumbara nga martesa e parë e Gruevskit, Risto Novacevski, ndërsa pronari i kompanisë nuk është i njohur për opinionin.
 
“Nikolla Gruevski mbrëmë u fsheh pas njoftimit në të cilin justifikohet që pronësia në emër të tij ka qenë e paraqitur në listën anketuese. Por, Gruevski nuk tha pse nga pozita e kryeministrit në mënyrë histerike interesohet për pronësinë e kompanive nga Belize dhe Llugano. Çka e ka interesuar Gruevskin, çfarë dhe sa vend do të fitojnë këto dy kompani dhe për atë të malltretojë Janakievskin çdo ditë? Si mundet drejtuesit e këtyre kompanive të jenë njerëz të afërt të Nikolla Gruevskit, kumbari i tij, për të cilin do të kisha cekur që ende gjendet në pozita të larta publike, ose për shembull biznes-partner i familjes së tij. Me çfarë para janë të blera këto parcela”- u shpreh zëdhënësi i LSDM-së, Petre Shilegov.
 
Menjëherë pas pres-konferencës së Shilegov reagoi VMRO-DPMNE, e cila “e udhëzon Petre Shilegovin që në vend se të manipulojë me opinionin, të lexojë njoftimin me të cilin demantohet intriga e tyre.
 
Që ironia të jetë më e madhe, LSDM-ja në pres-konferencën e sotshme dërgoi njeriun i cili posedon pronë rreth gjysmë milion euro të përvetësuar në mënyrë të dyshimtë, të ardhura të paralajmëruara dhe pasuri të tjera mbi 180.000 euro”. 
 
Edhe kryeministri, Nikolla Gruevski, dje nëpërmjet një reagimi me shkrim demantoi akuzat e LSDM-së, duke theksuar se këto akuza janë të shpikura dhe të pavërteta.
 
BESA JASHARI