Maqedoni

Buxheti për vitin 2024, VMRO-DPMNE: Buxheti më jozhvillimor deri më tash, LSDM: Kemi buxhet zhvillimor

16.11.2023 15:37

Secili buxhet duke filluar nga viti 2018 e deri më sot sipas retorikës së Qeverisë është zhvillimor...

Secili buxhet duke filluar nga viti 2018 e deri më sot sipas retorikës së Qeverisë është zhvillimor, por të gjitha vendet e rajonit realizuan për trefish rritje më të madhe të GDP-së për kokë banori.
 
Këto janë akuzat e opozitares, VMRO-DPMNE, nga ku potencojnë se Qeveria ka arritur të rrisë vetëm borxhin, i cili në vitin 2017 ka shënuar 4,7 miliardë euro, ndërsa tani është 8,5 miliardë euro.
 
Të gjitha buxhetet deri më tani e sidomos buxheti i vitit 2024 është për të mbushur xhepat e njerëzve të afërt me Qeverinë, përderisa qytetarët hasin në mungesa të shumta në të gjitha sferat e jetës.
 
“Gjashtë vite me radhë nga 2018-ta deri më sot BDI-ja dhe LSD-ja votojnë buxhetet më të mëdha historikisht. Por, gjashtë vite me radhë RMV-ja stagnon edhe pse Qeveria shpenzon miliarda. Buxheti për vitin 2024 është për 2 miliard euro më i madh, krahasuar me buxhetin e vitit 2018. Buxheti për çdo vit rritet për 300 apo 400 milionë euro, ndërsa ekonomia stagnon në vend.”, - deklaroi zëdhënësja e VMRO –DPMNE-së, Marija Miteva.
 
Këto akuza u mohuan nga LSDM-ja nga ku thonë se buxheti për vitin 2024 është zhvillimor, i krijuar sipas nevojave të qytetarëve dhe ekonomisë maqedonase.
 
“Pritjet për vitin 2024 janë rritje e BPV-së për kokë banori prej 3,4 për qind, rritje e pagave për 8,4 për qind dhe ulje e mëtejshme e inflacionit në 3,6 për qind.”.
 
Sipas LSDM-së, qëllimi i buxhetit është të përkrahë rritjen ekonomike, qëndrueshmërinë fiskale dhe pagesën e rregullt të të gjitha detyrimeve buxhetore të shtetit si paga më të larta, pensione dhe të  drejta sociale.  
 
FLUTURA LATIFI