Maqedoni

Raporti i KE-së para deputetëve, Gir theksoi përparimet, por edhe kritikat e Unionit

16.11.2023 16:28

Euroambasadori, Dejvid Gir, në Këshillin nacional për eurointegrime...

Euroambasadori, Dejvid Gir, në Këshillin nacional për eurointegrime, prezantoi raportin e KE-së duke nënvizuar përparimet, por edhe vërejtjet sikurse miratimin me procedurë të përshpejtuar në Kuvend të ligjeve duke keqpërdorur flamurin evropian.
 
Gir tha se dialogu politik duhet përparuar. Ai gjithashtu theksoi se gjykatësit janë nën ndikime të ndryshme, pa progres në pjesën e korrupsionit, të drejtave të njeriut me theks të veçantë të të burgosurve në burgun e Idrizovës. Ripërsëriti edhe harmonizimin e çështjeve me Bullgarinë.
 
“Flamuri evropian do të duhet të përdoret vetëm nëse gjatë miratimit, ligji ka të bëjë me standardet evropiane. Po keqpërdoren format e miratimit të ligjeve me procedurë të përshpejtuar për t’u afruar me legjislaturën evropiane. Megjithatë kjo formë nuk është këtu për të keqpërdorur ligjin për procedurë penale, ku dukshëm u shkurtuan procedurat nga 38% në 58%. Kjo do të thotë se do të duhet që të ngritet propozim-projekt për procedura në kuadër të Parlamentit për miratimin e këtyre ligjeve, gjithashtu është zvarritur edhe procedura e ndryshimeve kushtetuese.”, - deklaroi euroambasadori, Dejvid Gir. 
 
Zëvendëskryeministri për eurointegrime, Bojan Mariçiq, theksoi rëndësinë e zbatimit të reformave. Plani për zhvillim të ekonomive të vendeve të Ballkanit Perëndimor, sipas Mariçiqit mbështet integrimin e vendeve aspirantë.
 
“Me 1 miliardë euro të ndara për Maqedoninë e Veriut, ne disponojmë me mjete për finalizimin e reformave, sipas kritereve evropiane dhe uljen e dallimeve në zhvillimin ekonomik në vendet anëtare në BE.”, - theksoi zëvendëskryeministri për eurointegrime, Bojan Mariçiq.
 
Milloshovski: Përparimi i vendit barazohet me zero
 
Nga VMRO-DPMNE-ja thanë se Maqedonia në raport barazohet me zero në pjesën e drejtave themelore, funksionim e gjyqësorit, si dhe luftën kundër korrupsionit.
 
“Kjo paraqet kthim të dukshëm mbrapa në këto tre fusha kyçe, si pasojë e moszbatimit të suksesshëm të politikave nga koalicioni në pushtet BDI dhe LSDM. Në pjesën e korrupsionit shfaqet brengosje serioze për pasojat nga ndryshimi i Kodit Penal.”, - u shpreh deputeti i VMRO-DPMNE-së, Antonio Milloshovski.
 
Kaevski: VMRO të zhbllokojë punën e Kuvendit
 
Nga LSDM-ja thonë se fokusi do të duhet të vihet në transparencën e sistemit gjyqësor, por edhe zhbllokimin e dialogut politik.
 
“Kjo do të thotë se VMRO-ja po bllokon progresin, kjo do të duhet të ndërpritet menjëherë dhe të nisin të punojnë në mënyrë konstruktive dhe të dalin nga orli i tyre si bllokues të vazhdueshëm të të gjithë proceseve demokratike.”, - theksoi deputeti i LSDM-së, Darko Kaevski.
 
Deputetët u dakorduan që të takohen sërish në një takim të radhës për të harmonizuar kërkesat që dalin nga udhërrëfyesi i BE-së, për të cilin ky institucion ka shënuar se ka ngecje.
 
MERAL ISMAILI