ITKSh-ja dhe AShAM-i shtrinë dorën e bashkëpunimit, promovohen katër libra shqip-maqedonisht-anglisht
Botimet shqip-maqedonisht-anglisht u prezantuan....

Botimet shqip-maqedonisht-anglisht u prezantuan në kuadër të edicionit të pestë të ditëve të Alfabetit. AShAM-i dhe ITKSh-ja shtrinë dorën e bashkëpunimit të ndërsjellë për të prezantuar katër vëllime librash, tematika e të cilave ka për qëllim bashkëpunimin mes dy etnive në vend dhe arritjen e një kohezioni ndëretnik.
“Është një ditë e veçantë për shkak se akademia e shkencave të Maqedonisë e pranoi ftesën tonë që të prezantojë punën dhe veprimtarinë për shkencat e albanologjisë, të cilat i ka botuar dhe i ka mbajtur mase dy dekada këtu në Maqedoni dhe ne shohim disa libra të cilat kanë rezultuar me botime nga historia dhe e kaluara e shqiptarëve.”, - deklaroi drejtori i ITKSh-së, Skender Asani.
“Përmendja e kësaj konference në fund do të shërbejë ndoshta edhe si mesazh për rëndësinë e madhe që mund të kenë bashkëpunimet e këtilla ndërinstitucionale, për të krijuar më shumë ura komunikimi, që do të shërbenin për një njohje sa më të mirë të komuniteteve me të cilët ndajmë një truall të përbashkët.”, - theksoi historiani, Isamedin Azizi.
“Do të prezantoj katër libra nga AShAM-i, njëra prej tyre është botim i ri, të tjerat janë botime të vjetra. Qëllimi im është që të tregohet se AShAM-i po mundohet dhe promovon botime lidhur me historinë dhe jo vetëm të maqedonasve, por edhe të shqiptarëve, por edhe bashkësive të tjera etnike, që ky promovim të jetë faktor koheziv i bashkëjetesës sonë.”, - u shpreh historiani, Dragi Georgiev.
Aktivitetet e ITKSh-së vijojnë edhe nesër me prezantimin e Institutit Albanologjik të Prishtinës, i cili shënon 70 vjetorin e institucionalizimit të studimeve shqiptare. (Ardita Ramadani, TVM2)