Shkup, mbledhja e 20-të ShBA-Karta e Adriatikut
Ministrja e Mbrojtjes, Sllavjanka Petrovska....

Ministrja e Mbrojtjes, Sllavjanka Petrovska, përmes një fjalimi hapi takimin e 20-të jubilar ministror në të cilin marrin pjesë ministrat e Mbrojtjes dhe përfaqësues të lartë të vendeve anëtare dhe vendeve vëzhguese të ShBA-së dhe vendeve të Kartës së Adriatikut.
Në hapje, Petrovska theksoi se suksesi i ShBA-së dhe Kartës së Adriatikut është i dukshëm sepse me integrimin e vendeve A5 në NATO është forcuar ndjeshëm siguria dhe është forcuar bashkëpunimi mes vendeve të rajonit.
Petrovska po ashtu theksoi se gjendja e sigurisë në vend është stabile dhe se RMV-së nuk i kanoset ndonjë rrezik i armatosur. Sipas saj çdo destabilizim i situatës në Kosovë, në Ukrainë apo në Lindjen e Mesme janë mundësi potenciale për përshkallëzim të situatës.
“Politikisht jemi të shqetësuar në çdo lloj përpjekjeje për destabilizim, pa marrë parasysh a është e një kapaciteti më të vogël apo më të gjerë të destabilizimit. Si vend RMV-ja nuk ka frikë për çfarëdolloj incidentesh të armatosura në vendin tonë, por duam të jemi një vend i qetë dhe i cili do të ndihmojë në pajtimin e palëve të acaruara, me qëllim që vendi dhe rajoni të kenë një perspektiv më të mirë evropiane. Në bazë të informatave me të cilat posedojnë shërbimet tona, vendin tonë nuk i kanoset ndonjë rrezik. Ne përmes marrëdhënieve bilaterale me Kosovën kemi treguar se edhe ne si vend kemi pasur çështje të hapura, por përmes rrugës së dialogut, ato i kemi kaluar.”, - deklaroi ministri i Mbrojtjes së RMV-së, Sllavjanka Petrovska.
Zëvendëssekretarja amerikane e Mbrojtjes, Selest Vallander, edhe njëherë tregoi përkushtimin maksimal të ShBA-së për të sjellë një qetësi të qëndrueshme në Ballkanin Perëndimor.
“ShBA-ja është e përkushtuar në atë se çka mund të bëjmë ne bashkërisht dhe në atë se çka duhet të bëjmë për të dhënë kontribut që Ballkani Perëndimor të ketë një qetësi të qëndrueshme, por pa anashkaluar zhvillimet në Evropë dhe në botë. Por ShBA-ja do të jetë këtu që të ndihmojë edhe në tejkalimin e dallimeve në aspektin politik dhe ShBA-ja fuqishëm po përkrah që këto vende të A5 t’i plotësojnë aspiratat e tyre për integrim në BE dhe në NATO.”, - theksoi zëvendëssekretarja amerikane për mbrojtje, Selest Vallander.
Bashkëpunimi 20 vjeçar i vendeve të Kartës së Adriatikut dhe ShBA-së, sipas të pranishmëve është treguar si një katalizator për ta ndryshuar erën e zhvillimit dhe të sigurisë në rajon dhe më gjerë.
Këto 20 vite, sipas pjesëmarrësve tregojnë qëndrueshmërinë e këtyre aleatëve të fuqishëm për vendosjen e themeleve të një sigurie të përgjithshme. (Fitim Kryeziu, TVM2)
