Maqedoni

Të drejtat e konsumatorëve, e drejta e ankesës në afat prej tetë ditësh

17.03.2015 17:53

Të drejtat e konsumatorëve në Maqedoni nuk respektohen sa duhet. Vetë numri i lartë i ankesave, tremijë, deri tek Organizata e Konsumatorëve flet qartë për një fenomen të tillë...

Kryetarja e Organizatës së Konsumatorëve, Marijana Lonçar Vellkova, thotë se vetëm njëmijë ankesa kanë të bëjnë me të njëjtën problematikë, d.m.th. me pritjet e gjata të konsumatorëve për të marrë produktin e ri në rast se produkti i prishur nuk mund që të rregullohet.
 
Konsumatorët duhet të dinë, thotë Lonçar, se për produktin e ri duhet të presin vetëm 30 ditë. 
 
Kryetarja e Organizatës së Konsumatorëve njofton gjithashtu konsumatorët se në çfarë afati kohor mund të ankohen në rast se janë të pakënaqur prej produktit apo shërbimit.
 
Si shembull merr pakënaqësitë eventuale të konsumatorit nga ndonjë udhëtim.
 
“Kur të kthehen nga udhëtimi, në rast se janë të pakënaqur, në afat prej 8 ditësh do të duhet që të japin ankesë deri tek agjencia me të cilën kanë udhëtuar. Në rast se janë të pakënaqur prej përgjigjes së marrë, më së voni deri në 15 ditë qytetari mund që rastin ta paraqesë deri tek Inspektorati Shtetëror i Tregut që të zgjidhet lënda”- deklaroi kryetarja e Organizatës së Konsumatorëve, Marijana Llonçar Vellkova.
 
E drejtë e konsumatorit është që shitësi t’ia kthejë paratë në rast se konsumatori nuk është i kënaqur nga numri apo pamja e produktit.
 
“Më shumë respektohet rregulli që të blini diçka tjetër dhe shpesh produkti tjetër që do ta blini do të jetë më i shtrenjtë nga produkti paraprak dhe këtu humb konsumatori, përndryshe ka të drejtë që t’i kthehen paratë”- tha kryetarja e Organizatës së Konsumatorëve, Marijana Llonçar Vellkova.
 
Nga Organizata e Konsumatorëve kanë arritur që t’u mundësojnë konsumatorëve të prishin marrëveshjen menjëherë me ndonjë operator të rrjeteve kabllovike në rast se ata janë të manipuluar për numrin e kanaleve televizive që janë marrë vesh se mund që t’i ndjekin. Është duke u punuar që konsumatorët të mos manipulohen nga ofertat e operatorëve të ndryshëm nëpërmjet marrëveshjeve ku ekzistojnë klauzola me shkronja të vogla.
 
Është kërkuar që të gjitha shkronjat të jenë njësoj në të gjithë marrëveshjen.
 
MERAL ISMAILI