Botë
Netanjahu për spitalin “Al-Shifa”: Nuk po i shmangim dot viktimat civile
17.11.2023 13:20
Izraeli përpiqet të justifikojë operacionin ushtarak në spitalin “Al-Shifa”...

Izraeli përpiqet të justifikojë operacionin ushtarak në spitalin “Al-Shifa”, ku janë të bllokuar mijëra pacientë, ndërsa ushtria njoftoi gjithashtu se kishte gjetur edhe një automjet me një numër të madh municionesh.
Ndërkohë, drejtori i spitalit “Al-Shifa” thotë se qindra pacientë të cilët gjenden ende në strukturë ulërasin nga etja, teksa rezervat e oksigjenit dhe ujit kanë shteruar.
Në Gaza nuk ka më asnjë vend të sigurt dhe pas thirrjeve për evakuim nga veriu, qytetarët në jug u paralajmëruan të largoheshin nga 4 fshatra në Kan Junis. OKB-ja paralajmëron se civilët po rrezikojnë të vdesin nga uria. Për televizionin CBS, kryeministri Benjamin Netanjahu, tha se informacionet amerikane të inteligjencës sugjeronin se shumë prej pengjeve mbaheshin në spital, por se ishin zhvendosur teksa IDF-ja mësyu strukturën.
Për herë të parë Netanjahu e pranoi se përpjekjet e tij për të reduktuar minimalisht viktimat nuk kanë pasur sukses. Paralelisht me operacionin ushtarak në Gaza, tensione janë ngritur edhe në Bregun Perëndimor, ku 3 palestinezë u vranë në një sulm me dronë të Izraelit në kampin e refugjatëve të Jeninit. Tel Avivi tha se kishte ekzekutuar edhe tre persona të armatosur që kishin hapur zjarr në një postbllok pranë Jeruzalemit.
