Botë
ShBA-ja fut në listë të zezë 10 individë nga Ballkani
17.11.2023 13:37
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë futur në listën e zezë 10 individë nga Ballkani...

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë futur në listën e zezë 10 individë nga Ballkani, teksa kanë shpallur raundin e radhës të sanksioneve ekonomike në rajon. Sipas ueb-faqes zyrtare të Thesarit amerikan, individët e sanksionuar janë nga Maqedonia e Veriut, Serbia, Bosnja dhe Hercegovina dhe Mali i Zi.
Nga Maqedonia e Veriut në listën e zezë amerikane është futur Ratka Kunoska Kamçeva, Irina Samsonenko dhe Sergej Samsonenko. Sergej Samsonenko është biznesmen i pasur rus, i cili ka në pronësi klube maqedonase të hendbollit dhe futbollit, ndërkaq Ratka Kunoska Kamçeva është nëna e biznesmenit maqedonas Orce Kamçev, i cili, po ashtu, është në listën e zezë amerikane.
Siç përcaktohet nga Departamenti i Thesarit, të gjitha asetet e personave të shtuar në listë, që janë në Shtetet e Bashkuara ose në pronësi ose kontrollin e personave amerikanë, ngrihen dhe duhet të raportohen. Thesari dhe Departamenti i Shtetit, po ashtu kanë sanksionuar edhe 18 kompani.
