Maqedoni
Ligji për vendbanim, BDI: Ligji i paarsyeshëm; Jankullovska: Ndryshime teknike
17.03.2015 18:03
Kuvendi filloi debatin për propozim-ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Paraqitjen e Vendbanimit dhe Vendqëndrimit...

BDI, edhe një herë kërkoi tërheqjen e këtij ligji dhe Ligjit për Letërnjoftime. Kërkesa nuk u morr parasysh nga përfaqësuesja e Qeverisë, ministrja e Brendshme, Gordana Jankullovska.
“I drejtohemi përfaqësueses së Qeverisë së RM-së, ministres së PB-së, Gordana Jankullovskas, të tërheq propozim-ndryshimet dhe plotësimin e këtij ligji. Ta tërheq, sepse ky ligj, ashtu siç është konceptuar, nuk ndreqet, nuk përmirësohet me amendamente”- deklaroi Xhevat Ademi nga BDI.
Ndërkaq, deputetja e pavarur, Roza Topuzova-Karevska, duke aluduar në keqpërdorimet zgjedhore dhe ndarjen e letërnjoftimeve për 40 persona në të njëjtën adresë, pyeti ministren Jankullovska nëse ligji ka për qëllim legalizimin e letërnjoftimeve të tilla.
“Ju pyes a do të legalizoni, me këtë, lëshimin e 30-40 letërnjoftimeve të lëshuara në një banesë prej 70 m2.? A nënkupton kjo këtë gjë”- tha deputetja, Roza Topuzova.
Mirëpo, Jankullovska hodhi poshtë pretendimet e Topuzovës, duke i cilësuar ato si tendencioze. Për Jankullovskën ndryshimet janë teknike.
“Kuptohet se gjithsecili mban përgjegjësi për deklarim të pasaktë dhe për të dhënat që i jep në deklaratë të tillë. Kështu që nuk ka nevojë të manipuloni, të spekuloni dhe politizoni një temë që është kryesisht teknike”- tha ministrja e Punëve të Brendshme, Gordana Jankullovska.
Propozim-ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Paraqitjen e Vendbanimit dhe Vendqëndrimit dhe Ligji për Letërnjoftime ka përplasur partnerët e koalicionit qeveritar.
Fakti që Ligji për Letërnjoftime duhet të miratohet me shumicë të dyfishtë, lë të kuptohet se ky projekt-ligj do të dështojë.
SHPËTIM NUREDINI
