Maqedoni

Migrimi dhe roli i Diasporës, Osmani: Anëtarësimi në BE do të ulë migrimin

17.11.2023 14:16

Diaspora e Maqedonisë së Veriut numëron rreth 500 mijë njerëz, deklaroi ministri i Jashtëm, Bujar Osmani...

Diaspora e Maqedonisë së Veriut numëron rreth 500 mijë njerëz, deklaroi ministri i Jashtëm, Bujar Osmani, gjatë debatit me temë “Migrimi përmes angazhimit të Diasporës”, në kuadër të Forumit Ndërkombëtar “Ulpiana” të organizuar në Prishtinë. Osmani njëherit theksoi se Qeveria e vendit, përveç angazhimit për bashkëpunim dhe integrim të diasporës, është e angazhuar edhe në uljen e trendit të lartë të migrimit që vazhdon edhe aktualisht. 
 
“Struktura e Diasporës është bartur prej fuqisë punëtore deri në ikjen e trurit dhe si ta transformojmë ikjen e trurit në qarkullim të trurit. Kemi arritur në një përfundim se e vetmja mënyrë që ta ndalojmë migrimin që t’i mbajmë të rinjtë në vend, të mos e rrisim komunitetin e Diasporës, është që t’i bashkëngjitemi BE-së, ta mbyllim boshllëkun socio-ekonomik mes nesh dhe shteteve ku njerëzit tanë shkojnë për një jetë më të mirë.”, - deklaroi minisitri i Punëve të Jashtme i RMV-së, Bujar Osmani.
 
Gërvalla: Diaspora, veç parave, sjell përvojë
               
Ministrja e Jashtme kosovare, Donika Gërvalla, solli shembullin e saj personal si një shqiptare që ka jetuar në Gjermani, duke theksuar rëndësinë që ka Diaspora për sjelljen e përvojave nga vendet ku jetojnë dhe veprojnë. Ajo tha se Qeveria e Kosovës ka gatishmëri për ta bërë Diasporën një nga prioritetet kryesore.
 
“Diaspora mund të sjellë diçka më me rëndësi se sa financat. Ata sjellin më shumë se një miliard euro në Kosovë, që është një e treta e buxhetit tonë shtetërorë dhe kjo nuk është shumë e vogël. Por përveç parave që sjell Diaspora, ne kemi nevojë për përvojën e tyre nga demokracitë e zhvilluara dhe vullnetin e tyre për të parë Kosovën në fazën e njëjtë me shtetet ku ata jetojnë. Prandaj na nevojitet edhe angazhimi politik i Diasporës dhe mu për këtë Kosova është këshilluar mirë që t’i jap Diasporës të drejtën e votës, sepse kjo e bën skenën politike në Kosovë më demokratike dhe më Evropiane.”, - theksoi ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla. 
 
Pjesë e panelit ishin edhe Artemis Malo, zëvendësministër për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, si dhe Zdenko Luçiq, sekretar për Çështjet e Jashtme dhe Evropiane i Kroacisë, të cilët po ashtu theksuan kontributin e madh që ka Diaspora për ekonominë dhe sjelljen e përvojave të tyre në Shqipëri dhe Kroaci. 
 
GYLTENE SINANI