Maqedoni
Ministria e Arsimit dhe Ministria e Sigurimit Social, bashkëpunim të ndërsjellë për avancimin e arsimit
17.03.2015 18:20
Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Abdylaqim Ademi, dhe ministri i Sigurimit Social dhe Rinisë nga Shqipëria, Erion Velijaj...

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Abdylaqim Ademi, dhe ministri i Sigurimit Social dhe Rinisë nga Shqipëria, Erion Velijaj, shkëmbyen përvojat e të dyja vendeve për avancimin e arsimit të mesëm profesional.
Sipas ministrit Ademi, të dyja vendet kanë nevojë për kuadër të kualifikuar që mundësojnë këto shkolla dhe për ta ka nevojë edhe tregu i punës.
“Bashkërisht konstatuam se duhet të thellohet bashkëpunimi në këtë sferë, përvojat e dy vendeve tona janë të nevojshme për dy shtetet, por gjithashtu edhe profilet e ndryshme dhe trajnimet që ne i realizojmë, apo realizohen, në Shqipëri do të ndihmojnë punëtorët tanë, por edhe vendet tona në zhvillimin e profileve”- deklaroi ministri i Arsimit, Abdylaqim Ademi.
Pastrimi i teksteve shkollore nga gabimet veç më është realizuar në Shqipëri, andaj Velijaj inkurajon Maqedoninë që ky proces të realizohet sa më shpejt.
“Më vjen mirë që edhe këtu ka një gatishmëri që fëmijët tanë të cilësdo kombësi, qofshin të kenë tekste të sakta, tekste që informojnë dhe ndërtojnë karaktere njerëzish dhe që ndërtojnë të ardhmen dhe jo të jetojnë me fantazi të së kaluarës”- theksoi ministri i Sigurimit Social në Shqipëri, Erion Velijaj.
Ministri Velijaj, edhe me homologun e tij, Dime Spasov, nënshkruan marrëveshje për sigurim social mes të dyja vendeve.
Marrëveshja përmban dispozita për te drejtat e sigurimit social,invalidor, shëndetësor, që do të vlejë për të dyja vendet. Nga kjo marrëveshje do të përfitojnë 300 mijë qytetarë nga të dyja vendet.
FLUTURA LATIFI
