Botë
Lufta Izrael-Hamas, vetëm 10% e ndihmave arrijnë tek viktimat
17.11.2023 14:38
Dhjetëra palestinezë janë vrarë dhe qindra të tjerë janë plagosur nga bombardimet izraelite...

Dhjetëra palestinezë janë vrarë dhe qindra të tjerë janë plagosur nga bombardimet izraelite në kampin e refugjatëve Jabalia në veri të Rripit të Gazës. Avionët luftarakë izraelitë dhe njësitë e artilerisë hapën zjarr në disa lagje në qytetin e Gazës dhe në rajonin Nazale.
Numri i saktë akoma nuk dihet sepse shumë persona kanë mbetur nën rrënoja. Nga OKB-ja paralajmërojnë se banorët e Gazës mund të vdesin edhe nga uria, për shkak të mungesës së ushqimit. Izraeli pengon edhe ndihmat humanitare.
“Palestinezët në Rripin e Gazës po bëhen më të dëshpëruar çdo ditë në kërkim të bukës dhe ushqimeve të tjera thelbësore. Tashmë kemi filluar të shohim raste të dehidrimit dhe kequshqyerjes, e cila po rritet me shpejtësi dhe nga dita në ditë. Me vetëm 10% të furnizimit të nevojshëm ushqimor që hyn në Gaza, që nga fillimi i këtij konflikti, ne tani po përballemi me një hendek masiv ushqimor.”, - deklaroi zëdhënësja e programit botëror të ushqimit, OKB, Aber Etefa.
“Nuk ka asnjë vend të sigurt në Rripin e Gazës. Të paktën 103 kolegë të UNRËA-së u vranë. Ky është numri që kemi konfirmuar, ndërsa shifra mund të jetë shumë më e lartë. UNRËA nuk mund të kryej aktivitete humanitare për popullin palestinez. Ne e shohim këtë si një përpjekje të qëllimshme për të penguar operacionet tona dhe për të paralizuar UNRËA.”, - theksoi drejtoresha e Komunikimeve e UNRËA-s, Xhuliete Touma.
Netanjahu: Ne i çlirojmë ata nga Hamasi, Hamdan: Ata po vrasin palestinezët
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu, thotë se qëllimi i Izraelit është që të çlirojë Palestinën nga Hamasi.
"Le të kenë palestinezët të gjitha fuqitë për të qeverisur veten, por asnjë nga fuqitë për të kërcënuar Izraelin. Duhet të ketë një regjim tjetër dhe një të ardhme të ndryshme për izraelitët dhe palestinezët njësoj. Ne i çlirojmë ata nga Hamasi, i çlirojmë nga ky udhëtim, u japim atyre një të ardhme të vërtetë.", - theksoi kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu.
Ndërkohë, zëdhënësi i Hamasit thotë se palestinezët nuk kanë jetuar kurrë në paqe dhe se kjo lëvizje është krijuar për të mbrojtur banorët vendas.
“Për 17 vitet e fundit, palestinezët në Gaza vriteshin çdo ditë. Do të thotë se ata po vrasin palestinezët gjatë gjithë kohës. Vuajtja ishte aty, ne nuk e shkaktuam. Ju duhet të veproni për të mbrojtur njerëzit tuaj. Izraelitët po i vrasin palestinezët dhe po pretendojnë se palestinezët duan t'i vrasin ata.”, - u shpreh zëdhënësi i Hamasit, Osama Hamdan.
Që nga fillimi i konflikti më 7 tetor, nga bombardimet izraelite janë vrarë mbi 12,000 palestinezë, ndërsa nga pala izraelite jetën e kanë humbur rreth 1,500 persona.
FARIJE DAUTI BAKIJU
