Maqedoni

Kryqi mbi Sharr, LEN: Jemi kundër provokimeve me simbolet fetare

17.11.2023 15:00

Koalicioni opozitar shqiptar ka theksuar se nuk janë kundër simboleve fetare...

Koalicioni opozitar shqiptar ka theksuar se nuk janë kundër simboleve fetare, por  vendosja e kryqit në Kodër të Diellit, është i qëllimshëm dhe synon përçarje ndëretnike e ndërfetare.
 
LEN-i kërkon nga Komisioni për Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive Fetare, Kishës Ortodokse Maqedonase, Arqipeshkvisë së Ohrit, gjegjësisht Mitropolisë së Tetovës, se kryqi duhet larguar dhe të mos lejojnë tensione mes qytetarëve.
 
“Ne, drejtuesit e subjekteve të Lidhjes Evropiane për Ndryshim, as nuk kemi qenë e as nuk do të jemi kundër simboleve fetare të asnjë besimi fetar, por as nuk do të lejojmë që dikush t’i keqpërdorë këto simbole për të krijuar konflikte mes qytetarëve, pasi simbolet fetare gjithmonë përçojnë porosi për paqe e jo për konflikte. Por, dje me vendosjen e kryqit, krijohet përshtypja se dikush qëllimisht synon të krijojë incidente dhe të krijojë konflikt të ri mes qytetarëve.”, - deklaroi kryetari  Koalicionit LEN,  Bilall Kasami. 
 
BFI: Akt jo qëllimmirë që ngrit tensione
 
Ka reaguar edhe BFI-ja, e cila tha se kryqi i ngritur  në Kodër të Diellit nxit tensione ndërfetare dhe ndëretnike dhe është provokim.
 
“Bashkësia Fetare Islame e RMV-së mbetet e habitur me paraqitjen e kryqit në Kodrën e Diellit në Tetovë, andaj e kupton si një akt jo qëllimmirë që ngrit tensione ndërfetare dhe ndërnacionale. Objektet fetare janë nevojë e besimtarëve dhe me ndërtimin e xhamisë, si dhe me ndërtimin e kishës kah moti u plotësuan nevojat e besimtarëve të krishterë dhe myslimanë, andaj çdo objekt fetar që ngritet për të treguar superioritet apo provokim, vërtetë nuk i shërben qëllimit kryesor drejt Zotit. Pra, kryqi i ngritur në Kodrën e Diellit është një provokim dhe si i tillë në këto momente i paqëlluar dhe ndikon negativisht në marrëdhëniet ndërnjerëzore.”, thuhet në komunikatën e BFI-së.
 
Ndërkohë, kanë reaguar edhe nga drejtoria e Parkut kombëtar dhe ajo e “Elem Tursit”, të cilët thonë se vendosja e kryqit është edhe pa pëlqimin e tyre. Gjatë seancës së jashtëzakonshme të Këshillit komunal pati përplasje mes këshilltaëve shqiptarë, ku akuzuan për mosveprim në kohë.
 
Ndërsa, këshilltarët e VMRO-së dhe LSDM-së e lëshuan mbledhjen me arsyetimin se përse nuk u reagua kur u ndërtonte xhamia në Kodër të Dellit.
 
Paraprakisht, BDI-ja kërkoi nga komuna e Tetovës përgjegjësi për lejimin e këtij skandali. Ata pyetën Kasamin nëse vendosja e kryqit është dakorduar mes Lëvizjes “Besa” dhe VMRO-DPMNE-së, për ndihmën që VMRO-ja i ka ofruar Lëvizjes  “Besa” në zgjedhjet lokale për komunën e Tetovës.  
 
VISAR SADIKI