Maqedoni

Kompletimi i KShZ-së, opozita shqiptare dorëzon në Kuvend propozimin, Zendeli: Vendi në KShZ i takon opozitës, jo ASh-së

17.11.2023 15:22

Opozita shqiptare dorëzon zyrtarisht propozimin për anëtarë të KShZ-së...

Opozita shqiptare dorëzon zyrtarisht propozimin për anëtarë të KShZ-së deri tek kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi. Abdush Demiri është propozimi i opozitës, të cilët thonë se ky vend i takon atyre për një proces korrekt dhe demokratik zgjedhor.
 
“Ky proces shtyhet tash gati se tre muaj, mirëpo fatmirësisht erdhëm deri te momenti që u realizua shpallja, e cila përfundoi në ditën e mërkurë. 24 orë zakonisht pritet edhe posta, d.m.th. me ditën e djeshme procesi i shpalljes është i mbyllur. Tani do të duhet shërbimet vetëm thjeshtë të japin informacion deri te Komisioni për zgjedhje dhe emërime, pastaj i gjithë procesi të shkojë në seancë plenare, ku duhet të kalohet me dy të tretat e votave.”, - deklaroi deputeti i Lëvizjes “Besa”, Fadil Zendeli.
 
Zendeli thotë se opozita pret që ky vend të mos uzurpohet për asnjë pazar politik, pasi këtë vend në KShZ e pretendon edhe Aleanca për Shqiptarët pas paralajmërimeve të mundshme nëse kalon në opozitë.
 
“Nuk e di se institucionet janë çështje të dëshirave, nuk e di se dikun ekziston diçka, është punë qejfi ose unë e kam qejf ose e kam dëshirë. Ligjet janë shumë të qarta, janë konsistente dhe këtu nuk lihet asnjë hapësirë dileme në drejtim të asaj se kujt i takon anëtari në KShZ. Është vend i opozitës, nuk është i pushtetit.”, - theksoi deputeti i Lëvizjes “Besa”, Fadil Zendeli. 
 
Zendeli pretendon se ka marrë mbështetjen edhe të partive maqedonase për propozimin e tyre. Në rast të manipulimeve, opozita shqiptare nuk përjashton mundësinë e bojkotimit të zgjedhjeve. Në përbërjen e KShZ-së, katër anëtarë i takojnë shumicës, tre anëtarë opozitës.
 
MERAL ISMAILI