Vdekja nga sepsa, Mexhiti: Ndonjëherë jemi me duar të lidhura

17.11.2023 17:40

Ndonëse në raportin fillestar Inspektorati Sanitar Shëndetësor...

Ndonëse në raportin fillestar Inspektorati Sanitar Shëndetësor nuk ka konstatuar lëshime në spitalin e Pripelit gjatë trajtimit shëndetësor të fëmijës që ndërroi jetë nga sepsa, ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti, paralajmëroi hetime shtesë në këtë drejtim.

Ai tha se një ekip ekspertësh të përbërë nga mjekë specialistë do ta shqyrtojnë sërish në hollësi rastin dhe nëse vërehen lëshime do të merren masa për përgjegjësit.

“Për fat të keq, raste të tilla ndodhin gjithkund në botë, nuk varet nganjëherë çfarë bëjnë mjekët. Inspektorati Sanitar Shëndetësor kishte një raport, ku thuhet se nuk ka pasur lëshime në këtë drejtim as në spitalin e Prilepit, as në Klinikën e Fëmijëve. Ne kemi bërë një Komision Ekspertësh prej mjekëve specialist, ekspertë për fëmijë, dhe ata do ta shqyrtojnë rastin. Nëse ka lëshim ne do të marrim masa, po normal se për fat të keq ndodhin këto raste nëpër botë. Ne nuk jemi të gjithëfuqishëm, ndonjëherë edhe mjekët dhe personeli shëndetësor bën gjithçka për të shpëtuar jetën, posaçërisht të fëmijëve, por në këtë rast ndonjëherë jemi me duar të lidhura, nuk varet prej nesh.”, - deklaroi ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti.

Dita e foshnjave të lindura para kohe, Mexhiti: Kushte për foshnjat e lindura para kohe

Ministri Mexhiti informoi se në vend është ulur mortaliteti tek foshnjat prematurë. Në vitin 2017 vdekshmëria e foshnjave të lindura para kohe është ulur me 74 për qind, në vitin 2016 ishte 25 për qind, që në vitin 2023, 5,6 për qind.

“Ministria e Shëndetësisë do të mbetet e përkushtuar për krijimin e një mjedisi ku çdo foshnjë e lindur para kohe të marrë kujdes me standardin më të lartë. Kemi qenë dëshmitarë duke parë shumë familje të buzëqeshura që largohen nga kjo klinikë me foshnjë të lindura me peshë vetëm disa qindra gram, më e vogla prej tyre vetëm 660 gram.”, - theksoi ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti.

Në ditën e foshnjave të lindura para kohe, drejtoresha e Klinikës për Gjinekologji dhe Obstetrikë, Viktoria Jovanovska, apelon që urgjentisht të jepet pëlqim për punësime, veçanërisht për repartin për foshnjat e lindura para kohe. (Vlora Latifi - Topojani, TVM2)