Maqedoni
VMRO-DPMNE dhe LSDM, shkëmbim akuzash për skandalin e Onkologjisë
18.11.2023 13:28
VMRO-DPMNE-ja opozitare ka akuzuar se Prokuroria po tenton të heshtë skandalin e Onkologjisë...

VMRO-DPMNE-ja opozitare ka akuzuar se Prokuroria po tenton të heshtë skandalin e Onkologjisë, sepse edhe pas dy muajsh nuk ka asnjë reagim, asnjë informacion, nuk hapet asnjë hetim, aq më pak akuza, për këtë skandal.
“Publiku dhe media, si dhe komisioni hetimor në Parlament ishin dëshmitar të të dhënave rrëqethëse se në Onkologji u krijua një mungesë artificiale barnash, se terapia e shtrenjtë ishte blerë me shumicë nga të afërmit dhe të preferuarit e qeverisë, se barnat ishin të dorëzuara pa protokoll dhe pa shënime, se një pjesë e terapisë ka përfunduar në tregun e zi. Ky skandal i mishit të egër nxori në dritë të gjithë mafien e kancerit që u pasurua në kurrizin e të sëmurëve më të rëndë. Dhe tani në vend që Prokuroria të dalë me emra konkretë të fajtorëve, ata heshtin dhe përpiqen të njollosin të gjithë për të shpëtuar përgjegjësit e vërtetë. Nuk është gjë tjetër veçse një operacion i ri "e ka fajin kablloja".”, thuhet në komunikatën e VMRO-DPMNE-së.
Ndërkohë nga LSDM akuzuan partinë opozitare VMRO-DPMNE se të njëjtit u kapën duke gënjyer në komisionin hetimor për Onkologji, duke paraqitur të pavërteta, insinuata dhe shpifje, me qëllim të krijimit të frikës tek qytetarët dhe mosbesimit në institucione.
“Deputeti Antonio Miloshoski gjatë një vërejtjeje procedurale javën e kaluar lexoi një vendim të Qeverisë, për të cilin pretendoi se ishte synimi i pretenduar i Qeverisë për të lejuar asgjësimin e materialit dëshmues në Klinikën e Onkologjisë. Megjithatë, bëhet fjalë për një vendim për të shpenzuar për materiale të harxhueshme dhe të rrënuara, përkatësisht shtretër, karrige dhe pajisje mjekësore. Pra, nuk bëhet fjalë për asgjësimin e materialit provues, por për zgjedhjen e një kompanie që do të fitonte një tender për asgjësimin e mbetjeve. Synimi i DPMNE-së me Komisionin Hetimor nuk është gjë tjetër veçse pengimi i hetimeve dhe përhapja e gënjeshtrave. Është e qartë se qëllimi i DPMNE-së nuk është drejtësia por manipulimi.”, thuhet në komunikatën e LSDM-së.
Komisioni Parlamentarë për rastin e Onkologjisë ka kërkuar nga Parlamenti ti shtyhet afati që të mund të dëgjohen të gjithë dëshmitarët e përfshirë në këtë rast.
FITIM KRYEZIU
