Maqedoni
Strugë, turizmi malor në zhvillim e sipër
19.11.2023 13:35
Megjithëse Struga është një destinacion i preferuar për sezonin veror i njohur për liqenin dhe lumin Drini i Zi...

Megjithëse Struga është një destinacion i preferuar për sezonin veror i njohur për liqenin dhe lumin Drini i Zi, qyteti ka edhe malet që së fundmi janë shndërruar në një atraksion i ri. Malet në Strugë më herët kanë qenë thuajse të pa njohura për turistët por edhe vendasit, ndërsa tash përmes sportit malor, po vizitohen shumë nga vendasit por edhe turistët. Kjo ka ndryshuar vitet e fundit me paraqitjen e një Klubi alpinist në qytet, të cilët pothuajse çdo fundjavë bëjnë organizime për alpinizëm ku bashkangjiten një numër i madh i qytetarëve por edhe turistëve. Nga Klubi Aplin Bjeshkatar Strugë thonë se organizimet e tilla kanë ndryshuar pikëpamjen e struganëve por edhe turistëve për Strugën.
“Që 7 vite me rradhë ne pothuajse çdo javë bëjmë organizime për në mal dhe pothuajse për çdo javë postojmë fotografi të atyre vendeve dhe zgjojmë kuriozitetin e njerzve, u tregojmë që kjo perlë gjindet në Strugë, dhe gradualisht për 7 vite kemi pas qindra bashkëqytetarë nga Struga por edhe nga vende tjera të Maqedonisë dhe të Evropës, kemi pas mysafirë nga Polonia, Çekia, Amerika. Që para 7 viteve kur njerzit na thonin çfarë bëni në mal dhe qeshinin njerzit, sot ke plot familje shoqëri te bjeshkët e Llabunishtës për shambull që është vend fenomenal.”, tha Nderim Pollozhani, kryetar i Klubit Alpin Bjeshkatar Strugë.
Alpinistët thonë se malet janë një pasuri për Strugën, prandaj duhet të ruhen më shumë, sepse viteve të fundit po keqpërdoren masivisht. Ata gjithashtu apelojnë që mali Jabllanica që është një ndër malet më të bukura në vend, të shpallet sa më shpejtë park nacional i mbrojtur.
“Gjysma tjetër e malit nga ana e Shqipërisë është bërë park nacional dhe ruhet, nga ana tjetër e jona fatkeqësisht, viti vitit është duke u cenuar dhe duke u rrezikuar për shkatërrim, prerje druresh, dnërtime të shtëpiuave malore, uzurpime, prerjet e pyjeve, pra e shfrytëzojn malin për biznes, ky keqpërdorim i pakontrolluar i sjell dëme të mëdha asaj natyre.”, tha Pollozhani.
Natyra e bukur dhe biodiversiteti i bëjnë malet e Strugës mjaft atraktive, por nuk ka promovim të mjaftueshëm. Të vetmit promotorë janë organizatat e alpinistëve në qytet dhe vet qytetarët. Alpinistët thonë se malet e Strugës kanë kapacitet për të zhvilluar një sezon turistik dimëror dhe të tërheqin një numër të madh të turistëve nga e gjithë bota të cilët janë të apasionuar pas natyrës.
ILMIE ZHAKU
