Botë
ShBA dhe BE, kritika Moskës për bashkëpunim me separatistët në Gjeorgji
18.03.2015 14:35
Uashingtoni dhe Brukseli kanë dënuar një marrëveshje të planifikuar midis Rusisë dhe një rajoni separatist të Gjeorgjisë, i cili mbështetet nga Moska...

Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Federica Mogherini, ka thënë se marrëveshja e ashtuquajtur për aleancë dhe integrim midis Rusisë dhe Osetisë së jugut “shkel qartë sovranitetin dhe integritetin territorial të Gjeorgjisë”.
Presidenti rus, Vladimir Putin, dhe lideri separatist i Osetisë së jugut, Leonid Tibilov, pritet të nënshkruajnë marrëveshjen sot në Moskë.
Zëdhënësja e Departamentit amerikan të Shtetit, Jen Psaki, ka thënë se Uashingtoni nuk do të njohë traktatin e planifikuar, ashtu siç nuk e njeh as marrëveshjen e ngjashme midis Moskës dhe Abkhazisë, një tjetër rajon separatist i Gjeorgjisë.
Psaki, ka thënë se SHBA vazhdon të mbështesë pavarësinë dhe integritetin territorial të Gjeorgjisë.
Rusia ka njohur Osetinë e jugut dhe Abkhazinë si shtete të pavarura pas luftës pesëditëshe të Moskës kundër Gjeorgjisë, në vitin 2008 dhe vazhdon të mbajë mijëra trupa në këto rajone.
