Botë
Protesta të dhunshme në Frankfurt, 10 mijë njerëz kundër masave të kursimit të BQE-së
18.03.2015 14:39
Mbështetësit e lëvizjes anti-kapitaliste "Blockupy" dhe policia janë përleshur edhe sot në Frankfurt...

Mbështetësit e lëvizjes anti-kapitaliste "Blockupy" dhe policia janë përleshur edhe sot në Frankfurt, në kryeqytetin financiar të Gjermanisë, një përleshje që doli jashtë kontrollit kur protestuesit u vunë zjarrin makinave e ndërtesave dhe thyen dritaret e dyqaneve e shtëpive aty pranë.
Policia e Frankfurtit përdori ujëhedhëset për të shpërndarë protestuesit pas sulmeve të tyre ndaj oficerëve të policisë, zjarrfikësve, një stacioni policie dhe ndaj Shtëpisë së Vjetër të Operës.
Autoritetet thanë se të paktën 7 makinave të policisë iu vu zjarri. Rreth 350 persona janë arrestuar.
Përleshja ishte aq masive, sa shtëllungat e tymit u dukën edhe nga një distancë e largët. Zjarrfikës mezi arritën të vënë nën kontroll flakët që të mos përhapeshin edhe më tej.
Protesta masive e Lëvizjes "Blockupy" u organizua kundër masave të Bankës Qendrore Evropiane.
10 mijë njerëz protestuan kundër masave të kursimit të BQE, të cilën ata e bëjnë fajtore për varfërinë në disa vende evropiane.
Banka Qendrore Evropiane ka për detyrë të sigurojë stabilitetin e çmimeve në Eurozonë, teksa synon të mbajë nivelin e inflacionit nën 2%.
Rajoni është duke vuajtur nga një situatë aktivitetesh depresive ekonomike, ndërsa papunësia në Evropë mbetet shumë pranë niveleve rekord.
LEUNORA KALIQI
