Ekonomi

Ministri Neziri merr pjesë në vendosjen e gur themelit të gazsjellësit “TANAP“

18.03.2015 14:47

Ministri i Ekonomisë Bekim Neziri me ftesë të Ministrit të Energjetikës dhe Resurseve Natyrore të Turqisë Taner Jëlldëz...

Ministri i Ekonomisë Bekim Neziri me ftesë të Ministrit të Energjetikës dhe Resurseve Natyrore të Turqisë Taner Jëlldëz, mori pjesë në ceremoninë solemne të vendosjes së gur themelit për ndërtimin e gazsjellësit trans anadolian të gazit natyror TANAP, në provincën Kars që gjendet në kufirin mes Turqisë dhe Gjeorgjisë. 
 
Në ceremoninë, e cila realizohet nën patronazhin e presidentëve të Turqisë, Gjeorgjisë dhe Azerbejxhanit, Rexhep Taip Erdogan, Georgi Markvelashvili dhe Ilham Alijev, ministri Neziri realizoi takim me ministrin turk të energjetikës Taner Jëlldëz, me të cilin biseduan rreth mundësisë së kyçjes eventuale edhe të Republikës së Maqedonisë në këtë projekt të rëndësishëm për rajonin.
 
“Republika e Maqedonisë edhe më tej ngelet e hapur për bashkëpunim me vendet e rajonit dhe më gjërë ndaj të gjithë mundësive të ofruara nga aspekti i ndërtimit të gazsjellësve dhe interkonekcioneve dhe sigurimit të gazit natyrorë, dhe në këtë drejtim gjithmonë i kemi parasysh kriteret për sigurimin e sasive të mjaftueshme të gazit, kontinuitetin e furnizimit pa ndërprerje, si dhe çmimin më të favorshëm të ofruar për gazin natyror”, deklaroi ministri Neziri. 
 
Në kuadër të zhvillimit të gazsjellësve ndërkombëtarë, ekzistojnë disa mundësi për ndërlidhje interkonektive me sistemin gazsjellës të Republikës së Maqedonisë, me gazsjellësit që tranzitojnë në territorin e Republikës së Turqisë. 
 
“Gazsjellësi TANAP që shkon deri në kufirin greko¬turk, dhe pastaj ndërlidhet me gazsjellësin transadriatik TAP, i cili vazhdon deri në Shqipëri dhe nën Adriatik deri në Itali, paraqet mundësi të mire për ndërlidhjen me sistemin gazifikues të Maqedonisë, dhe ai mund të lidhej përmes Gjevgjelisë apo Manastirit, me një degëzim prej rreth 60 kilometrash’, deklaroi ministri Neziri. 
 
Projekti TANAP është nënshkruar nga Turqia dhe Azerbejxhani dhe planifikohet të lëshohet në përdorim në vitin 2019¬, dhe i njejti do të transporton gaz nga rajoni Shah¬Deniz në Azerbejxhan.