Al-Shifa, zbulohet tuneli i fortifikuar i Hamasit

20.11.2023 12:25

Një tunel rreth 55 metra...

Një tunel rreth 55 metra i gjatë nën spitalin Al-Shifa është një tjetër provë e radhës e publikuar nga ushtria izraelite që tregon se Hamasi zhvillon aktivitetet terroriste. Izraeli thotë se tuneli ishte i pajisur me shkallë, një derë të blinduar dhe një të çarë që mund të përdoret për të bllokuar forcat izraelite që të hyjnë brenda.

Ndërsa pranon se ka një rrjet prej qindra kilometrash tunelesh sekrete, bunkerë në të gjithë enklavën palestineze, Hamasi ka mohuar se këto janë të vendosura në infrastrukturën civile, si spitalet.

Forcat mbrojtëse të Izraelit thonë gjithashtu se tuneli ishte në një pjesë të kompleksit spitalor ku javën e kaluar u gjet një automjet i mbushur me armë. Ushtria izraelite ka bërë të ditur se është duke hulumtuar se deri ku arrin tuneli.

Një marrëveshje për lirimin e disa prej pengjeve që mbahen nga Hamasi është ende duke u diskutuar. 

Michael Herzog, ambasadori i Izraelit në SHBA shpreson se një “numër i konsiderueshëm” mund të lirohen në ditët në vijim.

Ndërkaq situata është katastrofike teksa forcat izraelite intensifikojnë sulmet e tyre. Tanket izraelite rrethuan spitalin Indonezian në Gaza, ku të paktën 12 njerëz u vranë. Stafi mjekësor në Spitalin Indonezian po këmbëngul se nuk do të shpërngulen por do të qëndrojnë për të trajtuar të plagosurit.

Brenda spitalit ndodhen rreth 700 persona, përfshirë stafin mjekësor dhe të lënduar. Salla kryesore e operacionit brenda Spitalit Indonezian është dëmtuar dhe nuk është më e disponueshme për operacione.

Ministria e Shëndetësisë në Gaza ka bërë të ditur se numri i të vdekurve ishte rritur dhe se 13,000 njerëz, mijëra të tjerë rezultojnë të zhdukur dhe janë plagosur në luftime.

Komisioneri i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Volker Turk, ka lëshuar një tjetër video duke thënë se ai është “i tmerruar nga ngjarjet e tmerrshme të 48 orëve të fundit në Gaza”.

Turk i referohej sulmeve të Izraelit në kampin e refugjatëve Jabalia.

Ndërkaq luftimet vijojnë në Bregun Perëndimor. Forcat izraelite kanë bastisur shtëpitë në periferi të qytetit Tulkarem. Luftimet shpërthyen gjithashtu midis grupeve palestineze dhe forcave izraelite pasi këto të fundit bastisën kampin Far’a në Tubas në Bregun Perëndimor.