Botë
Kurti i shkruan OSBE-së: Pa marrëveshje s’ka zgjedhje serbe në Kosovë
20.11.2023 14:04
Serbia ka kërkuar nëpërmjet OSBE-së që zgjedhjet e dhjetorit në Serbi të mbahen edhe në Kosovë...

Serbia ka kërkuar nëpërmjet OSBE-së që zgjedhjet e dhjetorit në Serbi të mbahen edhe në Kosovë. Por kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e konsideron të domosdoshme nënshkrimin e një marrëveshjeje të posaçme me Serbinë, si dy shtete të pavarura, në mënyrë që t’u mundësohet më pas serbëve të Kosovës që kanë nënshtetësi të dyfishtë, të votojnë për zgjedhjet parlamentare në Serbi. Këtë qëndrim, Kurti e ka shprehur në një letër që i ka dërguar shefit të OSBE-së me mision në Kosovë, Majkëll Davenport.
“Lidhur me çështjen e bashkëpunimit ndërshtetëror për votimin jashtë vendit, me qëllim që të mundësohet qytetarët e komunitetit serb në Kosovë me shtetësi të dyfishtë të votojnë në zgjedhjet serbe jashtë Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë, është e nevojshme një marrëveshje e veçantë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë. Kërkesa për këtë marrëveshje duhet të vijë nga Serbia si palë e interesuar. Dhe çdo kërkesë e tillë duhet të marrë për bazë sovranitetin dhe pavarësinë e Kosovës, si shtet i barabartë, në përputhje me nenin 2 të Marrëveshjes Themelore të arritur këtë vit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.”, thuhet në letrën që Kurti i ka kthyer shefit të OSBE-së.
Kurti inkurajon Serbinë që të negociojë një marrëveshje të tillë speciale me Republikën e Kosovës, duke zbatuar në këtë mënyrë edhe një detyrim tjetër të Marrëveshjes Themelore, siç janë, “marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, në bazë të të drejtave të barabarta dhe reciproke dhe të drejtat e votuesve jashtë vendit”. OSBE-ja, viteve të mëhershme ka ndërmjetësuar për votimin e serbëve të Kosovës për zgjedhjet në Serbi. Por, kjo praktikë u ndërpre me ardhjen e Kurtit në krye të Qeverisë së Kosovës, duke mos u lejuar serbëve të Kosovës që të votojnë për zgjedhje në Serbi pa marrëveshje reciproke. Në zgjedhjet e fundit, serbët e Kosovës u organizuan me autobusë dhe vetura për të votuar në komunat e Serbisë afër Kosovës.
GYLTENE SINANI
