Izraeli vazhdon me bombardimet, dhjetëra civilë të vrarë dhe qindra të plagosur

20.11.2023 14:27

Bombardimet izraelite...

Bombardimet izraelite nuk kanë të ndalur mbi spitalet, shkollat, kampet e refugjatëve dhe në të gjitha objektet pa kursyer ku strehohen civilët.

Të paktën 12 palestinezë janë vrarë dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur në spitalin indonezian në Gaza.

U bombarduan edhe shkolla “Al Fakhoura” dhe tre shkolla të tjera që strehonin palestinezët e zhvendosur në enklavën e rrethuar.

Operacionet ushtarake izraelite në spitalin “Al Shifa”, detyruan evakuimin e qindra pacientëve të plagosur. Dhjetëra foshnja, të cilat mbaheshin në inkubatorë humbën jetën si pasojë e kushteve të këqija.

"Këto foshnje kanë vuajtur shumë gjatë qëndrimit të tyre në spitalin “Al-Shifa”, për shkak të pezullimit nga të gjitha shërbimet shëndetësore në kompleks. Ne konstatuam se edhe uji i përdorur për formulën e tyre ishte i kontaminuar dhe se nuk ishin sterilizuar siç duhet për shkak të mungesës së madhe të burimeve, për rrjedhojë vuanin nga të vjella, diarre, rënie në peshë, në vend të shtimit në peshë. Disa përjetuan helmim gjaku dhe infeksione të rënda. Shumë foshnja humbën jetën.", - deklaroi drejtori i përgjithshëm i spitaleve në Rripin e Gazës, Mohammed Zaqut.

Pas këtyre sulmeve, komisionari i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Volker Turk, përsëriti thirrjet për armëpushim. Duke theksuar se nga këto sulme u vranë një numër i madh grash dhe fëmijësh. 

"Dhimbja, frika dhe trishtimi i skalitur në fytyrat e fëmijëve, grave dhe burrave është e tepërt për t'u duruar. Sa shumë dhunë, gjakderdhje dhe mjerim do të duhet para se njerëzit të vijnë në vete? Sa civilë të tjerë do të vriten? Kjo duhet të ndalet! Njerëzimi duhet të jetë i pari. Një armëpushim mbi baza humanitare dhe të të drejtave të njeriut është dëshprimisht i nevojshëm. Tani!", - theksoi komisionari i lartë i OKB-së për të drejtat e njeriut, Volker Turk.

Nuk ka asnjë shenjë për vendosjen e paqes. Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu, thotë se do të vazhdojë luftën.

“Qëllimi është që një ditë pasi të shkatërrojmë Hamasin, çdo administratë e ardhshme civile në Gaza të mos e mohojë masakrën, të mos edukojë fëmijët e saj që të bëhen terroristë, të mos paguajë për terroristët dhe të mos u thotë fëmijëve të saj se qëllimi i tyre përfundimtar në jetë është të shohë shkatërrimin dhe shpërbërjen e shtetit të Izraelit. Kjo nuk është e pranueshme dhe kjo nuk është mënyra për të arritur paqen.", - u shpreh kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu.

Ndërkohë përfaqësuesi i Hamasit thotë se Izraeli luan rolin e viktimës, ndërkohë palestinezët janë  vrarë dhe dëbuar me dekada.

“Imagjinoni që sikur të ishte vendi juaj i pushtuar, çfarë do të bënit? Nuk mund ta pyesësh viktimën pse mbrohet; ju duhet të pyesni sulmuesin, pushtuesin pse po e bën këtë. Ata na vrasin me vite dhe tani thonë që ne i vrasim ata.”, - theksoi përfaqësuesi i lartë i Hamasit në Liban, Osama Hamdan.

Izraeli ka vrarë më shumë se 13,300 palestinezë në sulmet e tij ajrore dhe tokësore në Rripin e Gazës që nga një ofensivë e befasishme e 7 tetorit nga grupi i rezistencës palestineze Hamas. Ndërkohë, numri zyrtar i të vdekurve izraelit është rreth 1,500. (Farije Dauti – Bakiu, TVM2)