Stoltenberg filloi turneun ballkanik, të martën do të vizitojë RMV-në
20.11.2023 14:39
Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës Veriatlantike, Xhens Stoltenberg, të martën do të vijë në Shkup....

Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës Veriatlantike, Xhens Stoltenberg, të martën do të vijë në Shkup. Ai do të takohet me kryeministrin dhe kreun e shtetit dhe do t'i drejtohet edhe deputetëve. Stoltenberg e nisi turneun ballkanik nga Sarajeva, nga ku dërgoi mesazhin se të gjithë politikanët boshnjak duhet të punojnë për të ruajtur unitetin.
“Ne jemi të shqetësuar për retorikën përçarëse, si dhe për ndërhyrjet e huaja keqdashëse, duke përfshirë edhe Rusinë. Kjo kërcënon të minojë stabilitetin dhe të pengojë reformat. Të gjithë liderët politikë duhet të punojnë për ruajtjen e unitetit, ndërtimin e institucioneve kombëtare dhe pajtimin. Kjo është thelbësore për ruajtjen e stabilitetit të sigurisë së vendit. NATO-ja ka qenë e përkushtuar ndaj Bosnje dhe Hercegovinës për shumë vite. Siguria juaj është e rëndësishme për rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe është e rëndësishme për Evropën.”, - deklaroi sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Xhens Stoltenberg.
“Dua të them se bashkëpunimi me NATO-n na jep mundësinë për përmirësimin e sigurisë, përmirësimin e aftësive tona mbrojtëse. Ne marrim pjesë në misionet paqeruajtëse ndërkombëtare dhe në këtë mënyrë përmirësojmë fuqinë e forcave tona të armatosura, dua të theksoj se këta elemente sigurojnë që ne të mund t'u përgjigjemi në mënyrë adekuate të gjitha sfidave, përfshirë këtu edhe terrorizmin dhe krimin e organizuar dhe të gjitha kërcënimet e tjera që mund të përbëjnë rrezik, jo vetëm në Bosnje dhe Hercegovinë, por edhe në tërë botën.”, - theksoi kryeministrja e Bosnje dhe Hercegovinës, Borjana Kristo.
Pas Bosnjës, Stoltenberg vizitoi Kosovën ku NATO-ja së fundi dërgoi ushtarë shtesë në misionin e KFOR-it, pas tensioneve në veri të vendit. Politikanëve kosovarë dhe të martën presidentit serb, Vuçiq, Stoltenberg do t'u dërgojë kërkesë për rikthimin e negociatave Prishtinë-Beograd si e vetmja zgjidhje për uljen e destabilizimit. Pas Sarajevës, Prishtinës dhe Beogradit, sekretari i Përgjithshëm i NATO-s do të arrijë në Shkup, ku përveç kreut shtetëror do të takohet edhe me shtetet aleate Slloveninë, Malin e Zi dhe Shqipërinë. (Flutura Latifi, TVM2)
