Maqedoni
Pagat, Kovaçevski: Vitin e ardhshëm, minimalja 22,500 denarë
20.11.2023 15:43
Paga minimale vitin që vjen do të jetë 22,500 denarë, paralajmëron kryeministri, Dimitar Kovaçevski...

Paga minimale vitin që vjen do të jetë 22,500 denarë, paralajmëron kryeministri, Dimitar Kovaçevski, sipas të cilit do të vijojë edhe harmonizimi i pagave, pasi në shtator ishte rritja e fundit. Sipas kreut të ekzekutivit kjo është çështje që rregullohet me ligj dhe marrëveshjet kolektive.
“Buxheti ndodhet në procedurë parlamentare, shpresoj se në fund do të gjendet zgjidhje gjatë këtij dhe vitit që vjen. Harmonizim të pagave me pagën minimale sigurisht se do të ketë, pasi që kjo është obligim ligjor dhe kjo do të ndodh gjatë vitit që vjen.”, - deklaroi kryeministri, Dimitar Kovaçevski.
Trençevska: Harmonizimi i pagave në vitin 2025
Por ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Trençevska, thotë se harmonizimi vështirë të ndodh në mars kur do të rritet paga minimale. Sipas saj, harmonizim të pagave të tjera me minimalen do të ketë nga viti 2025.
“Harmonizimi i pagave do të shohim se a do të bëhet në mars, pasi që nënshkrimi i marrëveshjes kolektive kishte për qëllim vendosjen e metodologjisë së re, 10% në shtator që i morën të gjithë të punësuarit në sektorin publik, në shtator të vitit 2024 edhe një harmonizim të pagave dhe në mars të vitit 2025 të nisim me llogaritjen e re të pagave, gjegjësisht koeficient i shumëzuar me rrogë mesatare.”, - theksoi ministrja për Punë dhe Politikë Sociale, Jovanka Trençevska.
Bytyqi: Pagat të rriten pa dëmtuar të tjerët
Edhe zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi, thotë se Qeveria është e hapur për dialog me sindikatat për rritje të pagave, pas protestave të paralajmëruara të një pjese të sektorit publik këtë javë. Sipas Bytyqit, rritjet do të duhet të mos dëmtojnë sektorë të tjerë.
“Nëse rrisim pagat në fondin e shëndetësisë, në prokurori, në gjykata, do të duhet të shkurtojmë nga pensionet, shujtat e studentëve, nga librat e nxënësve. Thjesht, kjo është zgjidhja, këto janë mundësitë.”, - u shpreh zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi.
Bytyqi njoftoi se ulja e pagave të zyrtarëve do të duhet të ndodh kah fundi i muajit, pasi grupi i punës të dorëzojë propozimin ministrit për Shoqëri Informatike.
MERAL ISMAILI
