Maqedoni
Kovaçevski: Ka hapësirë të mjaftueshme për zgjedhje në maj
20.11.2023 15:55
Kryeministri, Dimitar Kovaçevski, vlerëson se deri në maj ka kohë të mjaftueshme...

Kryeministri, Dimitar Kovaçevski, vlerëson se deri në maj ka kohë të mjaftueshme për organizimin e proceseve zgjedhore në afatin e rregullt. Kështu në një farë mënyre po e pranon ofertën për zgjedhje në një mandat, duke pasur parasysh se 8 maji është i vetmi afat i përbashkët për zgjedhje. LSDM-ja dhe BDI-ja, sipas kryeministrit, kanë marrëveshje të qartë koalicioni, ndërsa shton se ai beson që edhe Aleanca për Shqiptarët ka kapacitet për të zhvilluar bisedime që do të çojnë te formimi i një koalicionit të gjerë.
“Sa u përket zgjedhjeve ju e dini se viti 2024 është vit i zgjedhjeve dhe vlerësoj se ekziston mjaftueshëm hapësirë që në muajin maj të mund të organizohen zgjedhje në termin të rregullt. Ne me BDI-në kemi marrëveshje të qartë të koalicionit që është publikuar në opinion në vitin 2020, gjithsesi se flitet me ta për modalitetet, megjithatë mendoj se qëllimi për realizimin e koalicionit evropian që do të udhëheqë një front të gjerë në lidhje me promovimin e kësaj ideje, është ideja kyçe që do të bind partitë në zgjedhjet e ardhshme.”, - deklaroi kryeministri, Dimitar Kovaçevski.
VMRO-DPMNE: Zgjedhjet e përbashkëta, e vetmja zgjidhje
Opozitarja, VMRO-DPMNE, e cila intensivisht ka kërkuar mbajtjen e zgjedhjeve të përbashkëta, e mirëpriti qëndrimin e Kovaçevskit se 2024-ta është vit i zgjedhjeve. Sipas tyre, mbajtja e zgjedhjeve presidenciale në të njëjtën kohë me parlamentaret është mundësia e vetme për t’i dhënë fund situatës së krijuar në vend.
“Kjo është përgjigja që e pritnim dhe e kërkonim, marrë parasysh faktin që zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale në të njëjtën kohë janë e vetmja rrjedhë logjike e zgjidhjes së ndodhive duke shmangur kështu ngërçin ekonomik dhe nevojën për të ngarkuar financiarisht qytetarët nëpërmjet rritjes së kostove për zgjedhje të mundshme të ndara.”, - theksoi zëdhënësi i VMRO-DPMNE –së, Naum Stoilkovski.
Përveç opozitës maqedonase, edhe te partitë politike shqiptare mbizotëron mendimi që zgjedhjet parlamentare të mbahen në të njëjtën kohë me zgjedhjet presidenciale, por nuk ka vendim zyrtar nga organet partiake.
SANIJE DURAKU
