Maqedoni
Kovaçevski: Politika të mbajë larg duart nga besimi
20.11.2023 16:59
Ne jemi shtet laik dhe politika duhet t’i mbajë larg duart nga besimi...

Ne jemi shtet laik dhe politika duhet t’i mbajë larg duart nga besimi, kështu ka deklaruar kryeministri i vendit, Dimitar Kovaçevski, për sa i përket kryqit të vendosur në Kodër të Diellit. Kovaçevski akuzoi më tej Kasamin, se në mungesë të projekteve për Tetovën, ushqen ndjenjat kombëtar dhe fetare.
“E para është që politika të heqë duart nga feja, sepse ne jemi shtet laik dhe çdo qytetar ka të drejtë të praktikojë fenë e tij. Vendi ynë është dëshmuar se është multietnik dhe multifetar në të cilin respektohen të gjitha të drejtat. Së dyti, është vërtetuar ajo që kam thënë në të kaluarën, se në vend ka politikanë, e kam fjalën për opozitën që aktualisht udhëheq qytetin e Tetovës, të cilët në mungesë të hapësirës dhe projekteve ushqejnë ndjenjat kombëtare dhe fetare të qytetarëve. E përsëris, politika duhet t’i heqë duart nga besimi.”, - deklaroi kryeministri, Dimitar Kovaçevski.
Kasami: BDI-ja dhe LSDM-ja, përgjegjëse për kryqin
Nuk ka munguar shumë edhe reagimi i Lëvizjes “Besa”, e cila përmes një komunikate fton kryeministrin Kovaçevski ta vizitojë Tetovën. Ndërsa thotë se LSDM-ja bashkë me BDI-në janë përgjegjëse për kryqin në Kodër të Diellit.
“I themi Kovaçevskit se Komuna e Tetovës ka realizuar dhjetë herë më shumë projekte se të gjitha komunat bashkë të LSDM-së. Për këtë e ftojmë të vijë në Tetovë me gjithë kryetarët e komunave të partisë së tij dhe para qytetarëve t’i prezantojmë projektet. Ka dëshmi se LSDM-ja i ka dhënë tokën e ndërtimit kishës dhe BDI-ja ia ka dhënë lejen për ndërtim. Dhe dëshmia e fundit është se Kovaçevski e festoi vendosjen e kryqit me Vuçiqin në Beograd, duke pirë verë dhe kënduar këngë serbe.”, thuhet në komunikatën e Lëvizjes “Besa”.
Kryqi në Kodër të Diellit u vendos javën që lamë pas, në oborrin e Manastirit “Shën Naumi” i Ohrit pa leje paraprake nga institucionet.
VISAR SADIKI
