Botë

Tensione në Kuvendin e Shqipërisë, do të diskutohej “Projekt-buxheti 2024”

20.11.2023 17:17

Duhej të zgjaste 2 ditë, por seanca e Kuvendit për buxhetin, u konsumua brenda 5 minutave....

Duhej të zgjaste 2 ditë, por seanca e Kuvendit për buxhetin, u konsumua brenda 5 minutave.
 
Me karrigeve pirg, tymit dhe zjarrit në sallë, mazhoranca miratoi në parim projekt-buxhetin dhe 4 ligjet fiskale pa asnjë diskutim.
 
Planin për kaos dhe “luftë” në Kuvend, opozitarët e Berishës filluan ta zbatojnë që në mëngjes. Ata u paraqitën në dyert e godinës së Kuvendit, ku i priste një prezencë e shtuar e Gardës së Republikës.
 
Një orë para nisjes së seancës kishte mbërritur edhe kryeministri, Rama, i cili për herë të parë pas 10 viteve në kreun e ekzekutivit nuk e pati mundësinë t’ia prezantonte ligjvënësve buxhetin.
 
Flamur Noka ishte i pari që ndezi një tymuese portokalli, teksa të tjera shumëngjyrëshe pasuan nga mbështetësit e Sali Berishës. Për këtë mori edhe përjashtimin e radhës. Për herë të parë në historinë e parlamentarizmit në Shqipëri në seancën e Kuvendit kishte zjarr.
 
Absurditetin e situatës së krijuar e tregon edhe reagimi shokues i ministres Spiropali. Situata kërkoi reagimin e menjëhershëm të Gardës së Republikës, ndërsa si forcë e shtuar për të shuar zjarrin e kolegëve të tij u angazhua edhe Gazment Bardhi.
 
Pas miratimit të 5 ligjeve me 73 votat e mazhorancës, kryeparlamentarja Nikolla mbylli seancën, teksa Flamur Noka gjeti kohën të bënte edhe aktin e fundit, teksa një tymuese e hodhi në drejtim të Nikollës dhe kryeministrit.
 
Ligji për buxhetin dhe 4 ndryshimet ligjore të Paketës Fiskale do t’i rikthehen tashmë komisioneve parlamentare për t’u diskutuar nen për nen.
 
LULJETA NDOKA