Maqedoni

IMM: gazetaria, profesioni më pak i paguar në rajon

18.03.2015 15:03

Kushtet e punës për gazetarët e Maqedonisë dhe rajonit nuk janë të volitshme...

Ky fakt u bë i ditur nga hulumtimi i Institutit Maqedonas të Mediave, në të cilin si problem kryesor u potencua mospasja e marrëveshjes kolektive me të cilën rregullohen të drejtat e punës mes punëdhënësve dhe gazetarëve, puna si honoraristë, si dhe humbja e imazhit në tregun medial.
 
Të gjithë këta faktorë ndikojnë në lirinë e shprehjes, u tha me këtë rast.
 
“Problemi kryesor është mosekzistenca e marrëveshjes kolektive, puna honorariste, andaj të gjithë këta faktorë ndikojnë tek liria e shprehjes dhe ndikojnë në autocenzurë të gazetarëve të cilët janë të detyruar të veprojnë kështu, sepse në të kundërtën u rrezikohen vendet e punës”- deklaroi Sllavço Milenkovski nga IMM-ja.
 
“Kam arritur në tre konkluzione nga hulumtimi. Gazetarët në rajon janë më pak të paguar se mesatarja e pagave në shtet, kushtet në mediat publike janë më të favorshme se në ato private dhe kyçja në BE nuk ka ndikuar edhe aq shumë për përmirësimin e rrethanave të tilla”- tha gazetarja nga Romania, Ioana Avadam.
 
“Po përgatitet propozim-version i marrëveshjes kolektive ku do të rregullohen të gjitha aspektet problematike, siç është vlera e pagës më të ulët, përmirësimi i kushteve për punë, si dhe do të përfshihen të gjithë fotoreporterët, kameramanët, montazherët, redaktorët dhe gazetarët”- theksoi Tamara Çausidis nga Sindikata e Pavarur e Gazetarëve.
 
Propozim-teksti pritet të përgatitet së shpejti, t’u dorëzohet të gjitha mediave dhe më pas të arrihet versioni final për të cilin do të merren vesh palët e përfshira. 
 
FLUTURA LATIFI