Maqedoni

Qendra Tregtare e Qytetit, Zhernovski: pamja të zgjidhet me referendum

18.03.2015 15:41

Kryetari i Komunës Qendër, Andrej Zhernovski, propozon mbajtjen e referendumit, përmes së cilit qytetarët do të deklaroheshin nëse e duan këtë qendër me pamjen që ka sot...

Kryetari i Komunës Qendër, Andrej Zhernovski, propozon  mbajtjen e referendumit, përmes së cilit qytetarët do të deklaroheshin nëse e duan këtë qendër me pamjen që ka sot, apo dëshirojnë ta shohin të veshur me “barok”.
 
Tashmë në Këshillin e Komunës Qendër është dorëzuar kërkesa për mbajtjen e referendumit, që sipas Zhernovskit, do të mbahet më 26 prill.
 
Nëse propozimi për referendum nuk kalon në këshill, atëherë është e nevojshme të mblidhen nënshkrime nga ana e qytetarëve, shtoi Zhernovski.
 
“Referendumi paraqet mundësi për përmirësimin e të gjitha vendimeve të cilat i miraton pushteti, si në nivel qendror ashtu dhe lokal, dhe nëse këto vendime janë të dëmshme dhe kontraverze për qytetarët, atëherë referendumi është ky përmirësues”- deklaroi kryetari i Komunës Qendër, Andrej Zhernovski.  
                                                                                
Iniciativa “E dua Qendrën Tregtare të Qytetit”, thotë se janë grumbulluar 4.960 nënshkrime për peticionin për ta ruajtur qendrën me pamjen aktuale.
 
“Propozimi ynë është të përpunohet plani arkitektonik dhe ne veç më kemi propozime të përpunuara mbi baza shkencore dhe ekspertizë të lartë që të përmirësohet objekti, por të ruhet autentiteti i saj”- tha përfaqësuesja e Iniciativës “E dua QTQ-në”, Danica Pavllovska.
 
Zhernovski, fton edhe kryetarin e Shkupit, Koce Trajanovskin, t’i bashkëngjitet iniciativës për të mundësuar që në referendum të  mund të votojnë të gjithë qytetarët e kryeqytetit, e jo vetëm ata të Komunës Qendër. 
 
FLORIJE KAMBERI