Stoltenberg: Shtimi i ushtrisë serbe në kufi nuk e ndihmon qetësimin e situatës
21.11.2023 11:55
Shtimi i forcave të ushtrisë serbe në afërsi të kufirit me Kosovën nuk e ndihmon qetësimin e situatës së tensionuar mes dy vendeve...

Shtimi i forcave të ushtrisë serbe në afërsi të kufirit me Kosovën nuk e ndihmon qetësimin e situatës së tensionuar mes dy vendeve. Kështu deklaroi në press konferencën me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.
“Unë llogaris në të dyja palët për të ulur tensionet dhe për të përmbajtur nga përshkallëzimi i veprimeve. Ne e mirëpresim faktin që Serbia është e gatshme të bashkëpunojë.”, - theksoi sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.
Vuçiq: Nuk pranojmë urdhra për ushtrinë
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s po ashtu theksoi se “mirëpret dhe mbështet formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë”. Por, duke komentuar kërkesën që Serbia të mos e grumbullojë ushtrinë e saj në kufirin me Kosovën, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, u përgjigj se kjo është punë e Serbisë.
“Ne nuk pranojmë këtë lloj urdhri. E ku dhe si do ta vendosim ushtrinë në përputhje me Kushtetutën e Serbisë, pa rrezikuar askënd, kjo është punë e jona.”, - u shpreh presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Kur është fjala për hetimin e sulmit në Banjskë, Vuçiqi tha se “ai ka një pikëpamje tjetër për atë që ka ndodhur, por i kupton kërkesat e NATO-s dhe Perëndimit”.
GYLTENE SINANI
