Botë

Izraeli vazhdon bombardimet, dhjetëra të vrarë dhe qindra të plagosur

21.11.2023 14:00

Izraeli vazhdon ofensivën e bombardimeve mbi spitalet, shkollat dhe objektet ku strehohen civilët....

Izraeli vazhdon ofensivën e bombardimeve mbi spitalet, shkollat dhe objektet ku strehohen civilët. Avionët luftarakë izraelitë shënjestruan  shkollën “Hafsa” në rajonin Al-Faluja, në perëndim të kampit të refugjatëve Jabalia në veri të Gazës, në të cilën qëndronin palestinezë të zhvendosur. Raportohet për dhjetëra të vrarë dhe shumë të plagosur, shumica e viktimave janë fëmijë. U bombardua edhe një zonë rezidenciale pranë spitalit në qytetin Rafah. Pamjet e publikuara shfaqin të plagosurit që sillen në spitalin “Al-Aksa” në Deir al-Balah. Forcat izraelite goditën gjithashtu të paktën 9 shtëpi në Beit Lahia në veri të Gazës. Edhe në këto sulme ka dhjetëra të vrarë, në mesin e viktimave janë dy gazetarë, shtëpitë e të cilëve ishin shënjestër e këtyre sulmeve izraelite.
 
“Në të kaluarën, të vdekurit varroseshin me dinjitet. Por gjithçka që bëj tani është të varros të gjithë, gra, fëmijë dhe të moshuar, sa më shpejt që të jetë e mundur, pasi nuk kemi kohë, çdo ditë sjellin viktima të reja. Varri më i madh që duhej të hapja ishte një varr masiv për 137 persona.  Numrat që tani i varros brenda një dite, i varrosja për më shumë se dy vjet. Disa ditë varrosim 400 njerëz. Ndonjëherë 250, ndonjëherë 150.", - theksoi Sadi Baraka.
 
Të numërosh të vdekurit është e pamundur në një situatë lufte, ku sistemi shëndetësor është në kolaps, thonë nga OBSh-ja.
 
"Ne po shohim një kolaps të plotë të sistemit shëndetësor në Gaza, prandaj është shumë e vështirë të mbahen të dhëna të sakta për numrin e të vrarëve dhe të plagosurve në një situatë ku sistemet shëndetësore janë në kolaps. Vlerësimet për viktimat dhe vdekjet në këtë pikë janë shumë të paqarta. Por, numri vazhdon të rritet.”, - deklaroi zyrtari i lartë i OBSh-së, Majkëll Rajan.
 
Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, të vetmen mundësi për paqe në Lindjen e Mesme e sheh zgjidhjen me dy shtete.
 
“Ne jemi dëshmitarë të një vrasjeje të civilëve që është e pashembullt dhe e paprecedentë si në asnjë konflikt tjetër, që kur jam sekretar i përgjithshëm. Është e rëndësishme të jemi në gjendje ta transformojmë këtë tragjedi në një mundësi. Dhe që kjo të jetë e mundur, është thelbësore që pas luftës, të shkojmë në një mënyrë të vendosur dhe të pakthyeshme drejt një zgjidhjeje me dy shtete.”, - u shpreh sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guteres.
 
Izraeli ka vrarë më shumë se 13,300 palestinezë në sulmet e tij ajrore dhe tokësore në Rripin e Gazës që nga një ofensivë e befasishme e 7 tetorit nga grupi i rezistencës palestineze, Hamas. Ndërkohë, numri zyrtar i të vdekurve izraelitë është rreth 1,500.
 
FARIJE DAUTI BAKIJU