Lainer më i fortë se kanceri

21.11.2023 15:13

Stefan Lainer e ka mposhtur kancerin...

Stefan Lainer e ka mposhtur kancerin e nyjave limfatike dhe do t’u rikthehet stërvitjeve të plota me skuadrën e Borussia Moenchengladbachut të martën, ka njoftuar të hënën “Bild”.

Fillimisht ai do të integrohet pjesërisht me pjesën tjetër të ekipit, por ngarkesa e punës do të rritet në mënyrë të vazhdueshme derisa të jetë i gatshëm për lojë. Bazuar në këtë, kthimi i Lainerit në fushë do të bëhet në fund të muajit të ardhshëm, kur pritet të luajë për Gladbachun.

Ky është një lajm shumë i mirë për ekipin nga Bundesliga gjermane, duke pasur parasysh se Lainer ka mposhtur sëmundjen me të cilën është diagnostikuar në verë. Lajmin e kthimit të 31-vjeçarit në stërvitje e ka mirëpritur edhe trajneri i Gladbachut, Gerardo Seoane.

“Është një lajm i mirë për lojtarin, ekipin dhe klubin. Jemi jashtëzakonisht të lumtur edhe për familjen e tij”, ka thënë Seoane.

“Jam shumë i lumtur që jam në gjendje të përqendrohem plotësisht në futboll përsëri dhe të stërvitem së bashku me ekipin," thotë Stefan Lainer.

"Javët dhe muajt e fundit kanë qenë shumë sfidues. Jam shumë mirënjohës që kam marrë kaq shumë mbështetje nga familja, miqtë, klubi dhe tifozët gjatë kësaj kohe. E gjithë kjo më ka dhënë force.”, ka thënë Lainer.

Ai është pjesë e Gladbachut prej vitit 2019 kur iu bashkua nga Salzburgu i Austrisë. Me ekipin gjerman ka kontratë deri në verën e vitit të ardhshëm.