Maqedoni
Rasti "Alfa" në Gjykatën Supreme, mungesa e gjykatëses anulon seancën
21.11.2023 15:38
Mungesa e gjykatëses, Anita Boshkovska, në Gjykatën Supreme shënon edhe një anulim më tepër...

Mungesa e gjykatëses, Anita Boshkovska, në Gjykatën Supreme shënon edhe një anulim më tepër dhe zvarritje të procesit gjyqësor për rastin "Alfa". Seanca e sotme pritej të sjellë vendim ndaj të akuzuarit, Almir Derplanin, i cili do të mund të hapte rrugën për rigjykim të rastit. Në seancë nuk u paraqit as prokurori, Boban Llazarevski, i cili është pensionuar. Familjari i të dënuarit, Agim Islami, njëkohësisht edhe ish i akuzuar, Ramiz Dauti, tha se është i zhgënjyer nga anulimi i seancës së sotme për rastin “Alfa” në Gjykatën Supreme. Sipas tij, super-ekspertiza është dorëzuar para 21 muajve, ndërsa ende zvarritet nëpër gjykata.
“Unë përsëri jam pesimist në aspektin e asaj që një ditë para seancës, për arsye të një gjykatëse duhej të presim një muaj. Duke pasur parasysh që ne kemi dorëzuar një ekspertizë, një super-ekspertizë tash e 21 muaj, ku Gjykata e Apelit na e vonoi 16 muaj, Gjykata Supreme tash e 5 muaj e vonoi të njëjtën, e zvarriti lëndën për Almirin, kështu që nuk di unë, nuk kam koment. Ditën e sotme e kam pritur si ditë të madhe, por në fakt doli një ditë e vogël si 15 vjet me radhë.”, - theksoi familjari, Ramiz Dauti.
Avokati i Almir Derplaninit, Asmir Alispahiq, beson se super-ekspertiza do ta zgjidh këtë rast.
“Ka një ekspertizë serioze që është parashtruar në Gjykatën Penale, ku po sqarohen shumë fakte se të akuzuarit nuk janë pjesëmarrës në ngjarjen, e cila ndodhi më 26 nëntor të vitit 2008.”, - u shpreh avokati mbrojtës, Asmir Alispahiq.
Trupin gjykues në këtë rast e përbëjnë gjykatësit, Xhemali Saiti, Shpend Devaja, Elica Kërstevska, Mirjana Llazarevska dhe Anita Boshkovska. 26 nëntori i këtij viti shënon 15 vite nga vrasja në fakultetin matematiko-natyror në Shkup, rast për të cilin më burg të përjetshëm u dënuan: Rexhail Qerimi, tashmë i ndjerë; Agim Islami dhe Almir Derplanini. Seanca e radhës u caktua për 25 dhjetor.
FLORIJE KAMBERI
