Maqedoni

Lufta kundër tregtisë ilegale të armëve, Spasovski: Prioritet strategjik i MPB-së

21.11.2023 16:27

Menaxhimi dhe forcimi i kufijve për të përballuar të gjitha format e krimit ndërkufitar...

Menaxhimi dhe forcimi i kufijve për të përballuar të gjitha format e krimit ndërkufitar, përfshirë këtu edhe tregtinë e paligjshme të armëve, është një nga prioritetet e Ministrisë së Punëve të Brendshme, tha numri një i këtij dikasteri, Oliver Spasovski. Ai në mbledhjen rajonale të përfaqësuesve të Policisë Kufitare dhe Administratës Doganore nga Evropa Juglindore, gjithashtu tha se tregtia ilegale e armëve është një nga sfidat më të mëdha, prandaj është ngritur në nivelin e një prioriteti strategjik të Ministrisë së Brendshme.
 
“Në këtë drejtim, në përputhje me përcaktimin strategjik të Republikës së Maqedonisë së Veriut për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe respektim të direktivave evropiane, këtë vit miratuam Strategjinë Kombëtare për Kontrollin e Armëve të Vogla dhe të Lehta dhe Planin Kombëtar të Veprimit për vitin 2022-2025. Doracaku i Armëve të Vogla dhe të Lehta për zyrtarët kufitarë dhe doganorë është në fazën përfundimtare të miratimit, në bashkëpunim me Frontex-in, ndërsa Procedura Standarde Operative për mbledhjen dhe monitorimin e të dhënave dhe informacionit për njoftimet në lidhje me armët e vogla dhe të lehta është miratuar në bashkëpunim me OSBE-në.”, - deklaroi ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski.
 
Spasovski tha se janë duke punuar në mënyrë aktive edhe në realizimin e të gjitha aktiviteteve të planifikuara për të arritur rezultate më të mëdha në ngritjen e vetëdijes publike për rreziqet e keqpërdorimit të armëve të zjarrit, parandalimin e tregtisë me armë, si dhe vendosjen e sistemeve efikase për shkëmbimin e informatave.
 
SANIJE DURAKU