Botë
Ukrainë: Shënohet 10 vjetori i demonstratave pro-evropiane
21.11.2023 17:17
Ukraina po shënon dhjetë vjetorin e demonstratave masive anti-qeveritare në sheshin Maidan të Kievit...

Ukraina po shënon dhjetë vjetorin e demonstratave masive anti-qeveritare në sheshin Maidan të Kievit kundër presidentit të atëhershëm, Viktor Janukoviq, dhe lidhjeve të tij të ngushta me Moskën. Mbi 100 njerëz vdiqën në protestat tremujore dhe pothuajse tre mijë u plagosën. Presidenti ukrainas Zelensky, thotë se kryengritja historike pro-evropiane e Maidanit është fitorja e parë në luftën kundër Rusisë.
“Statusi ynë i kandidatit dhe negociatat e mëtejshme të pranimit sigurisht që duhet të rezultojnë në anëtarësimin e plotë të Ukrainës në BE. Të gjitha këto i bëjmë pavarësisht luftës, kur populli ynë mbron veten dhe Evropën. Ne kemi dinjitet dhe nuk do të lejojmë që të na hiqet liria.”, - deklaroi presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.
Të gjitha vendet e huaja e pranuan faktin se revolucioni ukrainas në vitin 2014 u sponsorizua nga jashtë, thotë Kremlini.
“Ne e quajmë Maidan, por në fakt ishte grushtshteti i sponsorizuar nga të huajt. Gjëja kryesore për ne është të arrijmë qëllimet tona dhe për këtë qëllim operacioni special ushtarak vazhdon.”, - theksoi zëdhënësi i Kremlinit, Dimitriy Peskov.
Në shenjë mbështetjeje, presidenti i Këshillit Evropian, Michel, vizitoi Kievin dhe pa paralajmërim mbërriti edhe ministri gjerman i Mbrojtjes, Pistorius. Më parë, sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, njoftoi në Ukrainë ndihmë shtesë në armë në vlerë prej 100 milionë dollarë nga rezervat ekzistuese amerikane.
“Unë jam sërish këtu për të dhënë mbështetjen tonë, por edhe solidaritetin tonë. Ne e admirojmë luftën e guximshme dhe të shtrenjtë që po zhvillohet këtu.”, - u shpreh ministri i Mbrojtjes i Gjermanisë, Boris Pistorius.
Në front u shënuan sulme të reja ajrore në Lindje. Mbrojtja ajrore ukrainase tha se gjatë natës arriti të rrëzojë nëntë dronë rusë. Janë shënuar viktima dhe të plagosur në rajonet Donetsk dhe Kherson.
FITORE DEMOLLI
