Maqedoni
Izairi për” Jugohromin”: Është koha të mendojmë edhe për ambientin, jo vetëm për aspektin social
18.03.2015 16:46
Ministria e Ekologjisë dhe sektori civil diskutuan sot për përmirësimin e gjendjes së mjedisit jetësor në Maqedoni...

Në qendër të debatit pa dyshim ishin ndotësit më të mëdhenj të ambientit, “Jugohromi” dhe “Makstili”.
Ministri i Ekologjisë, Nuran Izairi, shprehu pakënaqësi ndaj vendimit të gjykatës që u zgjati lejen për vendosjen përfundimtare të filtrave këtyre dy ndotësve më të mëdhenj të ambientit.
Dhe në këtë pjesë, ministri Izairi ndan të njëjtin mendim me mbrojtësit e ambientit dhe qytetarët.
Filtrat duhet të vendosen sa më shpejtë, sepse rrezikohet jeta e qytetarëve, edhe pse është dakord që duhet ruajtur statusi ekonomik i 1500 të punësuarve në “Jugohrom”.
“Unë nuk dakordohem, por edhe atëherë edhe tani arsyetimi vazhdon të mbetet aspekti social. Në një farë forme, duke parë spektrin ekonomik edhe në mbledhjet e qeverisë, që gjithnjë e mbivoton çështjen e ambientit dhe atë shëndetësor, për fat të keq derisa nuk ngrihet vetëdija e drejtuesve se çfarë është prioritare, a prioritare është e drejta për jetë, atëherë do kemi vendime të tilla. Në tetor filluam të vendosim njëfarë rendi ekologjik. Ne e detyruam “Makstilin” të fillojë punën që të vendos filtrat, edhe “Jugohromin” “e paprekshëm” 50 vjet. 50% të kapacitetit ia mbyllëm. Të jeni të bindur se insistimi ynë do të jetë në maksimum që ata t’i venë filtrat, sepse është një kapacitet ekonomik për 1500 punëtorët dhe ne duhet të mendojmë edhe për familjet e tyre”- deklaroi ministri i Ambientit Jetësor, Nurhan Izairi.
Izairi, vlerëson se sektori joqeveritar është partner në këtë luftë për mbrojtjen e mjedisit të pastër jetësor. Nga sektori civil apelojnë më tepër kujdes dhe përkushtim nga ana e institucioneve.
“Ne presim që në këtë debat që realizohet me organizatat qytetare, që edhe organizatat qytetare të rrisin interesin e vet në mbrojtjen ekologjike të ambientit jetësor, por kisha apeluar edhe te të gjitha institucionet, edhe në nivel të pushtetit lokal edhe qeveritarë, që më tepër të kushtojnë kujdes në mbrojtjen e ambientit jetësor, veçanërisht janë të dalluara qytetet me ajër të ndotur”- tha Nesim Veliu nga Qendra për Zhvillim Ekologjik në Tetovë.
Me mbështetje të fondeve IPA do të përgatitet edhe një studim nga ekspertë të huaj për ndotësit e mëdhenj e të vegjël dhe për masat e nevojshme për uljen e ndotjes.
GYLTENE SINANI
