Maqedoni

115-vjetori i Kongresit të Manastirit, Begaj: Të ruajmë gjuhën shqipe

21.11.2023 20:11

Në vigjilje të 115 vjetorit të Kongresit të Manastirit, në Shtëpinë Muze të Alfabetit Shqip...

Në vigjilje të 115 vjetorit të Kongresit të Manastirit, në Shtëpinë Muze të Alfabetit Shqip, Ambasada e Republikës së Shqipërisë në vend, mbajti një konferencë shkencore ku veç presidentit të Shqipërisë, Bajrtam Begaj, morrën pjesë edhe politikanët shqiptarë nga pushteti dhe opozita. 
 
Presidenti i Republikës së Shqipërisë Bajram Begaj, bëri thirrje për ruajtjen, lëvrimin dhe pasurimin e gjuhës amtare, për unitet dhe gjithëpërfshirje në nismën kombëtare të identitetit shqiptar.
 
“Sot ne e marrim si të mirëqenë ekzistencën e shqipes, por në një ditë të tillë duhet të mos harrojmë luftën dhe përpjekjet titanike që na sollën deri këtu. Në fakt, po të lexoni historinë dhe gjithçka që ka pasur kundër, është mrekulli që shqipja mbijetoi dhe sot flitet nga miliona shqiptarë anembanë botës”.- ka deklaruar Begaj. 
 
Xhaferi: Kemi obligime ndaj trashëgimisë
 
I pranishëm në Manastir ishte edhe Kryetari i Kuvendi, Talat Xhaferi. 
 
“Përfaqësuesit institucional, si edhe politikanët përgjegjës, kanë obligim të kujdesen për trashëgiminë kulturore, intelektuale dhe shpirtërore të popullit. Këtë duhet ta bëjnë në çdo hap, me çdo vepër dhe me çdo nismë që e ndërmarrin. Gjeneratat e ardhshme duhet ta dinë vlerën dhe sakrificën që është bërë për të arritur për të qenë në rrafshin e popujve të etabluar botërorë.”- thuhet në kumtesën e Kuvendit.
 
Ahmeti: E pathyer do të vazhdojë përjetë
 
Edhe kreu i BDI-së, Ali Ahmeti ka veçuar rolin dhe rëndësinë e Kongresit të Manastirit dhe misionarëve të saj. 
 
“Kujtuam dhe reflektuam bashkë mbi madhështinë e atij çasti historik dhe kontributin e atyre misionarëve të kombit që shqipja jonë të ketë shkronjat e veta, me të cilat breza të shumtë të kombit kanë qëndisur rrugën e përparimit. E pathyer ndër shekuj përballë stuhive të shumta qëndroi, e atillë do të vazhdojë të qëndrojë përjetë, gjuha jonë e bukur shqipe!”- thuhet në kumtesën e BDI-së.
 
BELINDA KOKA ADEMI