Maqedoni
Uji në Haraçinë, ISHP: ujësjellësi i pijshëm, uji i puseve i ndotur
18.03.2015 16:59
Uji i çezmave publike në Komunën e Haraçinës nuk është i pijshëm...

Agjencia për Ushqim dhe Veterinari dhe Instituti i Shëndetit Publik ka marrë mostra nga 32 vende dhe vetëm 4 çezma dhe ujësjellësi në Haraçinë kanë ujë të pastër që mund të pihet, të tjerat nuk i plotësojnë standardet bakteriologjike dhe kimike.
“Çezma publike në rrugë të fshatit Grushinë është ujë mineral dhe është në rregull, është ujë i pijshëm. Çezma publike në mes të fshatit Grushinë bakterologjikisht dhe kimikisht nuk është në rregull. Çezma “Selimova” bakteriologjikisht nuk është në rregull. Çezma publike në fund të fshatit Grushinë bakterologjikisht dhe kimikisht nuk është në rregullt. Çezma publike “Jojovska” është jo në rregull. Çezma e ujësjellësit në shkollën fillore të Grushinës nuk është në rregull. Në fshatin Haraçinë çezma publike në dalje të fshatit bakteriologjikisht nuk është në rregull. Çezma në ambulanca kimikisht nuk është në rregull, ndërsa çezma ose uji në Komunën e Haraçinës është në rregull. Çezma në afërsi të transformatorit, që është ujë burimi, është jo në rregull. Çezma në shkollën e vjetër dhe mbi shkollën e vjetër, ku higjiena është mjaft e dobët, nuk është në rregull”- deklaroi Luljeta Imeri nga Instituti i Shëndetit Publik.
Rrezikut të sëmundjeve që mund të merren nga bakteriet në ujin e pijshëm nga disa burime në këtë komunë i shtohen edhe 3 rastet me “Tularemi” të regjistruara së fundmi. Banorët frikësohen se uji i papërdorshëm është shkak edhe i “Tularemisë”.
Kreu i Komunës së Haraçinës, Brahim Ajvazi, u bën thirrje banorëve të mos përdorin ujë tjetër përveç nga ujësjellësi, njëkohësisht paralajmëron dezinfektim më të shpeshtë në vendet publike.
“Uji i cili është në përdorim nga NP “Ujësjellësi” në fshatin Haraçinë është i pijshëm. Duhet të bëjmë një dallim, ky ujë është i pijshëm, ndërsa ujërat të cilat burojnë, çezmat publike të cilat janë në sipërfaqe, u bëj thirrje qytetarëve të mos e përdorin këtë ujë, sepse nuk është mirë. Unë kam kërkuar nga drejtorët e shkollave të bëjnë dezinfektimin e objekteve dhe jam informuar se kjo është bërë gjatë muajin shkurt, mirëpo për shkak të sëmundjes së përhapur, dezinfektimi do të bëhet më shpesh”- tha kryetari i Komunës së Haraçinës, Brahim Ajvazi.
Banorët e anketuar nga TVM-2 janë të vetëdijshëm për mënyrën e përhapjes së “Tularemisë” dhe e dinë se duhet të kenë kujdes edhe se çfarë uji pinë.
“Nuk pimë ne ujë nga puset. Dëgjova mbrëmë se janë sëmurë disa njerëz, normal se frikësohemi”- theksoi një banor i Haraçinës.
Mjekët dhe autoritetet u rekomandojnë banorëve të Haraçinës, por edhe të gjithë të tjerëve, që gjatë kësaj periudhe të bëjnë deratizimin e shtëpive dhe oborreve, por sidomos të ruhen nga uji që përdorin, sepse në Haraçinë ka shumë puse të hapura nga vetë banorët, uji i të cilave është i ndotur e mund të rrezikojë seriozisht jetën e tyre.
REXHEP QAMILI
